E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta kombëtare, studentë dhe pedagogë mblidhen para Ministrisë së Arsimit - ATSH -

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Studentë e pedagogë, por edhe qytetarë u mblodhën mesditën e  sotme në protestë para Ministrisë së Arsimit, në vijim të tubimeve të javëve të fundit ku kërkohet ndryshimi i klasës politike, dorëheqja e qeverisë dhe masa për kushtet e strehimit dhe arsimimit.

Protestuesit janë grumbulluar në zonën përpara Ministrisë së Arsimit në manifestim të qetë, ndërsa protestat e pak ditëve më parë u përshkallëzuan në akte dhune ndaj institucioneve dhe përplasje me policinë.

Protestuesit janë grumbulluar në qendër të Rrugës së Durrësit, ndërsa qarkullimi i automjeteve në këtë aks është devijuar për shkak të zhvillimit të protestës.

Partia Demokratike, po ashtu, ka thirrur protestë kombëtare mesditën e  sotme në mbështetje të revoltës studentore siç e cilësoi kreu i kësaj partie Sali Berisha sipas të cilit, PD do të jetë në mbështetje të plotë.

Deputetë të Partisë Demokratike dolën nga selia blu dhe marshuan drejt bulevardit për t’iu bashkuar protestës në shenjë mbështetjeje të studentëve. Kreu i PD-së, Sali Berisha nuk është i pranishëm mes deputetëve.

Deputetë të PD-së raportohet se kanë debatuar me policinë në bulevard, pasi sipas tyre, qytetarët nuk po lejoheshin të bashkoheshin me protestën. Deputeti Belind Këlliçi tha për mediet se këto janë shenja paniku duke iu referuar, sipas tij, pengimit të pedagogëve në bulevard.

Përpara godinës së Ministrisë së Arsimit ndodhen efektivë policie, të cilët kanë formuar një kordon.

Në mbështetje të studentëve janë edhe pedagogët, të cilët prej disa ditësh kanë bojkotuar procesin mësimor, duke iu bashkuar kërkesave të të rinjve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestës.

Në kuadër të këtyre masave, pranë Kryesisë së Kuvendit është pozicionuar edhe autoboti i ujit, ndërsa forcat e rendit janë angazhuar për monitorimin e situatës dhe ruajtjen e rendit publik.

Studentët kanë njoftuar se në orën 14:00 do të zhvendosen përpara Kryeministrisë.

Studentë, pedagogë dhe qytetarë po protestojnë prej 19 ditësh në Tiranë kundër klasës aktuale politike, kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë si dhe kushte më të mira arsimimi dhe jetese.

/vijon/

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›