E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta mbi 10 orë në Tiranë, gurë efektivëve, shkatërrim të hapësirës publike, zjarr stolave e koshave të mbeturinave

TIRANË, 16 tetor/ATSH/ Protestuesit në orët e mbrëmjes u shpërndanë në rrugë të ndryshme të kryeqytetit.

Një pjesë e protestuesve u zhvendosën pranë Parlamentit, ndërsa një pjesë tjetër vijuan të protestojnë te Kryeministria, ku gjithashtu janë të vendosur edhe forca policie.

Situata u tensionuar në zonën pranë Parlamentit, ku policia i shpërndau protestuesit me me ujë me presion pasi vijuan të gjuajnë me gurë ndaj tyre.

Protestuesit i vunë zjarrin koshave të mbeturinave si dhe stolave në rrugët e kryeqytetit.

Protestuesit u shpërndanë në rrugë të ndryshme të kryeqytetit, si në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Skënderbej”, rruga e Kavajës, etj.

Aktualisht protestuesit janë rikthyer sërish drejt Kryeministrisë, pasi kanë rënë dakord me punonjësit e Policisë se nuk do të ketë akte dhune dhe do të protestojnë në mënyrë paqësore.

Një protestues është ngjitur te shkallët e Kryeministrisë duke mbajtur në krahë edhe  vajzën e mitur.

Ndërkohë që Policia ka vendosur një kordon për arsye sigurie përpara Kryeministrisë.

Protesta e nisur rreth orës 11:00 u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe policisë pranë Ministrisë së Arsimit si dhe përballë Kryeministrisë.

Pjesëmarrësit në protestë mes të cilëve me maska, por edhe të mitur kanë gjuajtur me gurë ndaj efektivëve, shkatërruan hapësira publike me sinjalistikat rrugore dhe në orët e mbrëmjes i vunë zjarr stolave e koshave të mbeturinave.

1 nga 25

/k.s/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›