Shabani: Në 72 orët kontaktuam 214 persona të privuar nga liria, kushtet në Bllokun e Sigurisë të papranueshme

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Avokati i Popullit, Endri Shabani, deklaroi sot se monitorimi i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT) gjatë protestave të katër ditëve të fundit ka evidentuar problematika në kushtet e mbajtjes së personave të shoqëruar dhe të arrestuar, si dhe ankesa për dhunë nga punonjës të Policisë së Shtetit.
Gjatë prezantimit të gjetjeve paraprake, Shabani bëri të ditur se në 72 orët e fundit ekipet e MKPT-së kanë kontaktuar 214 persona të privuar nga liria dhe kanë monitoruar komisariatet nr. 1 deri në nr. 6 në Tiranë, Bllokun e Sigurisë, Spitalin e Traumës, si dhe komisariatet në Korçë, Vlorë dhe Shkodër.
“Kushtet në Bllokun e Sigurisë janë të papranueshme”, u shpreh Shabani, duke evidentuar mbipopullimin e ambienteve, mungesën e shtretërve, batanijeve, ngrohjes dhe mjeteve higjienike, si dhe shërbimin e pjesshëm mjekësor.
Ai bëri të ditur se janë evidentuar 26 persona në Bllokun e Sigurisë, për të cilët pretendimet dhe shenjat e dukshme të dhunës janë pasqyruar në procesverbalet e konstatimit.
Shabani ngriti shqetësimin edhe për trajtimin e të miturve, duke deklaruar se janë konstatuar raste kur ata janë marrë në pyetje pa praninë e prindit ose kujdestarit dhe të psikologut. Gjithashtu, sipas tij, po verifikohen dëshmi për rreth 12 të mitur që dyshohet se janë mbajtur të izoluar në ambientet e një ministrie.
Gjatë monitorimit janë administruar ankesa për ushtrim dhune gjatë shoqërimit, mungesë të kujdesit mjekësor, tejkalim të afateve për masën e sigurisë dhe punonjës policie me veshje civile pa shenja identifikuese.
“Çdo punonjës që ushtron forcë duhet të jetë i identifikueshëm. Identifikimi mbron qytetarin nga abuzimi dhe mbron policin nga akuzat e pabazuara”, theksoi Shabani.
Ai dënoi dhunën ndaj punonjësve të policisë dhe protestuesve, si dhe dëmtimin e pronës publike dhe private, duke nënvizuar se policia mund të përdorë forcë vetëm kur është e domosdoshme dhe në mënyrë proporcionale.
Në përfundim, Avokati i Popullit i kërkoi Policisë së Shtetit identifikimin e plotë të punonjësve gjatë operacioneve dhe ndarjen e të miturve nga të rriturit. Ndërsa Ministrisë së Brendshme i kërkoi përmirësimin e menjëhershëm të kushteve në Bllokun e Sigurisë, duke garantuar ujë, ushqim, shtretër, ngrohje, higjienë dhe shërbim mjekësor në çdo kohë.
Shabani theksoi se gjetjet janë paraprake dhe se çdo rast po verifikohet individualisht. Ai u bëri thirrje qytetarëve, protestuesve, pronarëve të bizneseve dhe punonjësve të policisë që kanë pësuar dhunë ose dëme t’i drejtohen Avokatit të Popullit.
Ndërkohë Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës po punon për hartimin e një manuali dhe propozimin e ndryshimeve ligjore për procedurat që duhet të ndjekë Policia e Shtetit gjatë shoqërimit dhe mbajtjes së shtetasve në ambientet e policisë.
Komisioneri Ahmet Prençi bëri të ditur se puna për hartimin e rekomandimeve ka nisur më herët dhe synon të përcaktojë qartë procedurat e shoqërimit, kohëzgjatjen e tij, qëndrimin në ambientet e policisë dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve që në momentin e parë të kontaktit me uniformat blu.
Ai tha se ndër problematikat e konstatuara janë edhe përcaktimi i saktë i cilësisë në të cilën do të pyetet personi, si dhe garantimi i së drejtës për avokat.
Duke iu referuar monitorimit të zhvillimeve të fundit, Prençi theksoi se Mekanizmi ka vëzhguar mënyrën e shoqërimit të shtetasve dhe ka marrë ankesat individuale të personave të ndaluar, të cilët janë kontaktuar nga përfaqësuesit e tij.
Prençi nënvizoi se, që nga momenti kur një shtetas vihet nën kontrollin e policisë, punonjësit janë të detyruar të respektojnë të drejtat e tij dhe se çdo përdorim i paligjshëm i dhunës është i papranueshëm.
Sa i përket punonjësve të policisë me rroba civile, ai theksoi se ata duhet të identifikohen në mënyrë të qartë gjatë ushtrimit të detyrës, përmes shenjave dalluese dhe prezantimit të identitetit e funksionit të tyre përpara qytetarëve.
Mekanizmi Kombëtar pritet të konkretizojë në vijim rekomandimet dhe propozimet ligjore për përmirësimin e procedurave të shoqërimit dhe të qëndrimit të shtetasve në ambientet e policisë.
/e.xh/ /a.g/