E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta në Durrës, Korçë dhe Shkodër, dita e tretë e tubimeve të të rinjve

Protestat e gjimnazistëve vijojnë për të tretën ditë radhazi në Durrës, Korçë dhe Shkodër, ku të rinjtë kanë dalë në rrugë për të protestuar.

Në Durrës, një grup gjimnazistësh janë mbledhur përpara Bashkisë, ku përveç thirrjeve protestuese, kanë hedhur gurë në drejtim të godinës, kanë djegur kosha mbetjesh dhe kanë dëmtuar kangjella.

Gjatë marshimit drejt Komisariatit të Policisë, protestuesit kanë dëmtuar edhe ambientet e Postës Shqiptare, duke thyer xhamat e godinës.

Pas këtyre akteve, policia ka ndërhyrë duke kryer shoqërime dhe arrestime, ndërsa protestuesit janë shpërndarë.

Ndërkohë, edhe Korça i është bashkuar për të tretën ditë radhazi protestave në vend. Kryesisht nxënës të shkollave të mesme kanë dalë në rrugë për të ngritur zërin kundër situatës në vend, duke vënë theksin te mungesa e mundësive për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri dhe te mungesa e drejtësisë.

Edhe në Shkodër ka nisur dita e tretë e protestës studentore. Tubimi po zhvillohet përpara Teatrit “Migjeni”, duke shënuar vijimin e protestave të ditëve të fundit në qytet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›