Protesta në Kakome, shoqërohet kryeplaku
Sarandë- Dy orë pas tubimit të banorëve të fshatit Nivicë, të bashkuar edhe njëherë kundër nisjes së punimeve për fshatin turistik, policia ka shoqëruar në komisariat kryeplakun e fshatit, Klement Baxheri. Shoqërimi i tij për në dhomat e paraburgimit është bërë pas një konfrontimi të policisë me banorët.
Gjithcka nisi kur banorët improvizuan një podium ku u mbajt një tubim i banorëve të këtij fshati dhe disa banorë të ardhur nga zona e Bregdetit, në shenjë solidariteti me bllokimit të makinerive të firmës Rivira.
Në tubim folën drejtues të qëndresës dhe të ftuar nga fshatrat e Himarës, përfaqësues në miting. Kryetari i komunës Vladimir Kumiu, garantoi bashkëfshatarët se qëndresa do t’ia arrijë qëllimit për ta detyruar firmën të tërhiqet. Ai ka akuzuar anëtarë të qeverisë se kanë “shitur” Kakomenë për interesa personale.
Kryeplaku i fshatit Nivicë, një nga organizatorët e tubimit, Klement Baxheri, tha se ata dhanë pëlqimin për masterplanin për studimin e integruar të bregdetit, por jo lejen që kjo zonë të shitej a të blihej për të përfituar dikush tjetër.
Banorët e fshatit janë në ‘pritë’ prej ditësh, duke penguar makineritë e firmës ndërtyese të fshatit turistik të Kakomesë që të nisin punën.