Rrëzohet plepi, gruaja bllokohet në dyqanin e prishur
ELBASAN- Erërat e forta kanë shkaktuar dëme të mëdha gjatë mëngjesin të djeshëm në qytetin e Elbasanit, madje duke rrezikuar edhe jetë njerëzish. Në afërsi të Elbasanit në lagjen NSHUrënia e dy plepave të mëdhenj ka thyer shtyllat e tensionit dhe ka këputur përcjellësit elektrikë të lagjes. Drurët gjigantë janë përplasur në çatinë e një marketi kanë shkaktuar panik e frikë ndërkohë që pronarja ka shpëtuar për mrekulli.Disa automjete që po lëviznin në atë çast në këtë aks rrugor kanë shpëtuar për mrekulli. Rruga është bllokuar për rreth një orë. Brenda në lokal është bllokuar edhe shtetasja Feride Beqo, e cila është ndihmuar nga i shoqi dhe fqinjët e tjerë.
“Dëgjova një zhurmë të madhe mbi çati. Thashë se mu shemb dhe më ra kokës. Stuhia shkuli të dy plepat që u përplasën me shumë forcë. Tentova të dal por isha e bllokuar në dyqan. Kërkova ndihmë. Bashkëshorti bashkë më fëmijët dhe fqinjët e tjerë më nxorën nga dyqani. Plepi bllokoi rrugën. Ai kishte thyer shtyllat e tensionit dhe kishte këputur telat. Nuk di se si kam shpëtuar”,- tregon gruaja. Bashkëshorti i Feridesë, Irjat Beqo, tregon se nga era përplasja e plepit ishte shkatërruese. “Shkulja e plepave mund të ishte shoqëruar me tragjedi. Por edhe telat e tensionit ishin nëpër këmbë. Kemi njoftuar disa herë për rrezikun e plepave por askush nuk na dëgjoi. U desh stuhia që të vihet dorë. Po të kishte ndodhur fatkeqësia kush do të mbante përgjegjësi”,- thotë Irjat Beqo. Edhe fqinji i tyre, Meladin Beqo, është i frikësuar nga pasojat e stuhisë. “Stuhia në shkuli drurë dhe tjegulla. Shpëtuam mirë nga rënia e plepave sepse përreth kishte fëmijë dhe kalimtarë të tjerë. Pranë tyre është edhe shkolla. Të kishte rënë në ditë tjetër dhe mbi shkollë atëherë do të ishte tragjedi e vërtetë”,- thotë ai.Në vendngjarje kanë shkuar specialistë të elektrikut, zjarrfikëset dhe shtabi i emergjencave. Brenda orës gjendja është vendosur nën kontroll. Shkulje pemësh, rrëzime çatish dhe thyerje tjegullash ka pasur në disa shtëpi të Elbasanit. Dëme të mëdha janë regjistruar edhe në parkun Rinia ku janë thyer dhe shkulur dhjetëra drurë dekorativë. Sipas informacioneve të marra, më rëndë paraqitet situata në fshatra dhe në zonat e thella malore. Në zonat e thella malore të Elbasani, Librazhdit dhe Gramshit kanë vazhduar me intensitet të lartë reshjet e dëborës.
Në prefekturën e Elbasanit është ngritur shtabi i emergjencësi cili mban kontakte me njësitë vendore dhe ndërmarrjet shtetërore. Bllokime dhe probleme në qarkullim janë njoftuar për aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë si dhe rrëshqitje dherash në Murrash. Në këtë aks ka pasur shembje dherash, këputje gurësh dhe inertesh të cilat kanë bllokuar përkohësisht rrugët. Janë njoftuar dëmtime në automjete por jo dëme në njerëz. Në Qafë Thanë reshjet e dëborës kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim. Policia ka ndaluar lëvizjen e automjeteve pa zinxhirë. Vështirësi ka pasur edhe në aksin Elbasan-Tiranë në lartësitë e Kërrabës, në aksin Elbasan-Gramsh dhe Librazhd-Peshkopi. Reshjet e shiut kanë provokuar fryrje të përrenjve dhe lumenjve. Zaranika është kthyer në kërcënim për banorët e Elbasanit. Ndërsa Shkumbini ka nisur të gërryejë tokë bujqësore dhe të rrezikojë shtëpi banimi në fshatin Jagodinë.