E Martë, 3 Nëntor 2026

Protesta në Kosovë: Lironi Hashimin! Prishtinë, mijëra në shesh kundër Gjykatës Speciale të Hagës

Mijëra qytetarë dolën në protest në Prishtinë kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale kundër ish krerëve tëv Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Me organizim të veteranëve të luftës, mijëra njerëz nga qytete të ndryshme të Kosovës u mblodhën në sheshin “Skenderbeu” në kryeqytet dhe kërkuan lirimin e ish krerëve të UÇK.

Kreu I organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, në fjalën e tij para protestuesve tha se sot rrezikohet e vërteta e luftës së UÇK.

Sipas tij, Gjykata special po përhap narrativën e rreme se Kosova është çliruar nga kriminelët.

Në protestë ishte edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.  Ai bëri thirrje për lirimin e ish krerëve të UÇK, për të cilët tha se po trajtohen padrejtësisht.

Edhe qytetarët shprehën indinjatën e tyre kundër speciales, duke theksuar padrejtësinë që po bëhet. Ata thanë se presin rikthimin  sa më shpejt në Kosovë të atyre që çliruan vendin.

Katër ish-krerët e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi  ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Qëndrimi për pesë vjet në paraburgim shpesh është cilësuar si shkelje e të drejtave të njeriut nga veteranët në Kosovë.

Procesi gjyqësor ka nisur që në prill të vitit 2023. Më 16 prill të këtij viti, Zyra e Prokurorit Special njoftoi se kishte përfunduar paraqitjen e provave kundër ish-krerëve të UÇK, të cilët janë në pritje të gjykimit./abcnews.al

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›