Protesta në Shkup, shpërthen në dhunë

Një protestë e dhunshme ka shpërthyer sot në Shkup ku si pasojë ka ndërhyrë policia për shpërndarjen e protestuesve.
Qindra protestues shqiptarë të organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale sot kanë protestuar në shenjë revolte ndaj incidenteve të djeshme ku për pasoj mbetën të plagosur disa të rinj shqiptarë.
Protesta nisi në ora 12:30 tek kompleksi Çairçanja për të vazhduar drejt Bit Pazarit dhe si destinacion të fundit ka qeverinë e Republikës së Maqedonisë.
Forcat policore depërtuan në Çarshinë e Vjetër ku dhe u shpërndanë një pjesë e protestuesve.
Shumë dyqane u mbyllën, kurse kalimtarë të rastit u larguan në panik.
Protestuesit u ndalën në ndihmë një gruaje shqiptare me fëmijën e saj, së cilës i kishte rënë të fikët, raporton Zhurnal.
Një pjesë tjetër e protestuesve përmbysi disa makina në afërsi të Bit Pazarit. Raportohet se Policia arrestoi 4 protestues.
Protesta e sotme ka dalë jashtë kontrollit kur një pjesë e protestuesve kanë vazhduar të dhunojnë objektet bri rrugës, në mesin e të cilave edhe ato të projektit “Shkupi 2014”.
Policia shtoi radhët dhe në përforcim kanë mbërritur edhe autoblinda, të cilët po sprapsin protestuesit.
Policia përdori edhe gaz lotsjellës dhe bomba tymi për të shpërndarë protestuesit të cilët hedhin gurë dhe mjete të forta.
Protesta degjeneroi në momentin kur një numër i vogël i personave që dyshohet të jenë infiltruar nga jashtë, kanë provokuar pjesëtarët e Policisë dhe i kanë sulmuar me mjete të forta.
Raportohet se protestuesit kanë djegur edhe flamurin maqedonas.
Nuk ka informacione se kush janë organizatorët e protestës. Ndërkohë që nga ana tjetër përfaqësuesit e 'Dinjiteti', kanë filluar grumbullimin e firmave për referendum, kundër emërimit të Talat Xhaferrit për ministër të Mbrojtjes. Emërimi i Xhaferrit në postin e ministrit të mbrojtjes ishte dhe shkaku i protestave të djeshme të cilat tejkaluan në dhunë. /Indeksonline/
/>