E Hënë, 2 Nëntor 2026

Protesta në Tiranë, ambasada e SHBA-së thirrje qytetarëve amerikanë: Jini të kujdesshëm

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë bëri sot një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë, duke paralajmëruar për vijimin e protestave para godinës së Kryeministrisë dhe duke u bërë thirrje të shmangin demonstratat.

Sipas njoftimit, protestat po zhvillohen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin mes sheshit “Skënderbej” dhe sheshit “Nënë Tereza”, ku ndodhet edhe zyra e Kryeministrit.

Ambasada thekson se demonstrata të tjera mund të organizohen edhe në ditët në vijim, si në Tiranë, ashtu edhe në qytete të tjera të vendit.

Në njoftim thuhet se protestat dhe tubimet shpesh nisin në mënyrë paqësore, po situata mund të ndryshojë me shpejtësi dhe protestat mund të shtrihen edhe në zonat përreth, përfshirë institucione të tjera shtetërore.

“Ndërsa protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protestat mund të zgjerohen në zonat e afërta, duke përfshirë ndërtesa të tjera qeveritare. Mund të pritet prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh, devijime dhe ndërprerje të trafikut në orët para dhe gjatë protestave”, thekson ambasada e SHBA.

Qytetarëve amerikanë u rekomandohet të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat dhe të jenë të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth, të ndjekin mediet lokale dhe udhëzimet e autoriteteve.

“Nëse ndodheni në një qytet ku ka një protestë, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe i jepni përparësi sigurisë suaj personale. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit.

Forconi qëndrimin tuaj të sigurisë duke praktikuar zakonet e mëposhtme: Qytetarëve amerikanë u këshillohet të shmangin demonstratat. Jini të vetëdijshëm për mjedisin përreth. Kufizoni shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik. Monitoroni median lokale. Gjithmonë keni një plan emergjence ose strategji daljeje. Mbani një profil të ulët”, njoftoi ambasada e SHBA.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›