Berisha: Në urgjencat e spitaleve të Tiranës nuk rezulton asnjë polic i lënduar

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se Ministria e Brendshme ka dezinformuar publikun lidhur me numrin dhe gjendjen e policëve të raportuar si të plagosur gjatë protestës së zhvilluar para parlamentit.
Berisha theksoi se ministria ka përdorur informacion të rremë për të justifikuar përdorimin e forcës nga policia ndaj protestuesve.
“Ministria e Brendshme, për të përligjur dhunën e egër, lëndët toksike, gazin lotsjellës, sprajin e ariut, topat e ujit, shkelmat në kokë, zvarritjet shtazore, torturat në makinat e policisë të protestuesve paqësorë, mashtroi publikisht duke dezinformuar publikun me komunikata për shumë policë të plagosur, pa dhënë asnjë emër dhe asnjë specifikim për llojin e plagëve”, theksoi Berisha.
Berisha nënvizoi se sipas informacioneve që janë mbledhur nga strukturat e Partisë Demokratike pranë institucioneve shëndetësore, disa efektivë policie janë paraqitur në urgjencë pa lëndime serioze dhe janë larguar pa pasur nevojë për trajtim mjekësor.
“Pas interesit nga departamenti përkatës i Partisë Demokratike pranë urgjencave të institucioneve mjekësore rezulton se, nga dreka, janë dërguar për të simuluar plagosje disa policë, të cilët nuk paraqisnin asnjë plagosje, madje as edhe lëndime të përfillshme, dhe janë larguar ashtu siç i sollën, pa asnjë problem shëndetësor! Në videon më sipër të shpërndarë nga policia, në kuadrin e mashtrimit të ulët publik, paraqitet inspektori Gjoka, i plagosur i policisë, i cili pas 20 minutash rikthehet në aksione brutale kundër protestuesve”, shkruan Berisha.
Berisha tha se dënon “këto akte të rënda të mashtrimit publik të narkopolicisë si një vepër penale të rëndë dhe dhunën çnjerëzore që u ushtrua ndaj protestuesve paqësorë”.
/m.q/a.f/r.e/