E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta në Tiranë për të 14-ën ditë radhazi, protestuesit para Kryeministrisë, tubimi pa tensione

Protesta e studentëve, pedagogëve dhe të rinjve në Tiranë vijon për të 14-ën ditë radhazi. Pas grumbullimit para Ministrisë së Arsimit, ku qëndruan për rreth dy orë, protestuesit u zhvendosën para Kryeministrisë, duke përsëritur kërkesat e tyre dhe thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Ndryshe nga ditët e mëparshme, grumbullimi është zhvilluar në qetësi, pa incidente apo përplasje me forcat e policisë. Autoritetet kanë vendosur një kordon policie për të monitoruar situatën, ndërsa janë marrë masa edhe për devijimin e trafikut në zonë.

Gjatë grumbullimit, pjesëmarrësit kanë brohoritur thirrje si “Dorëheqje” dhe “Revolucion”, duke kërkuar ndryshime dhe largimin e kreut të qeverisë.

Pas qëndrimit para Ministrisë së Arsimit, protestuesit janë drejtuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe Kryeministrisë, një zonë ku protestat e ditëve të mëparshme janë shoqëruar me tensione dhe përplasje.

Edhe këtë herë, protestuesit kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog, duke këmbëngulur në kërkesat e tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›