E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta para KQZ-së, deputetët e PS-së: Mazhoranca po vjedh votat

Deputetët e Partisë Socialiste po mbajnë fjalime para protestuesve të cilët janë mbledhur në afërsi të godinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
 

Deputeti socialist Namik Dokle në fjalën e tij theksoi se opozita nuk do të lejojë që “Shqipëria të shkojë në greminë”.

“Do mbrojmë votën tonë. Nuk ka rrugë tjetër. Fitorja është e jona nuk ka kush të na e vjedhë as Ristani e as Berisha.. Ne do të rezistojmë për votën”, tha Dokle duke shtuar se  fletët e hedhura në kutitë e gabuara janë të pavlefshme dhe nuk mund të numërohen si pjesë e rezultatit. “Ne duhet të rezistojmë për veten tonë, fëmijët tanë dhe gjithë Shqipërinë”, shtoi më tej Dokle

Ndërsa deputeti i PS-së Blendi Klosi theksoi se mazhoranca po vjedh votat e qytetarëve pasi të gjithë e panë mirë se kush i fitoi zgjedhjet.

Gjithashtu deputeti Klosi tha se opozita nuk po bën një betejë për mandatin e kryetarit të PS-së, por për gjithë vendin.
 

“E gjithë Shqipëria sot duhet të jetë në protestë, ne jemi me të drejtën, duam të shpllet ligjshmëria. Po sot cfarë thonë injorantët e KQZ? Në spote thonë se vota e hedhur në kuti të gabuar nuk do të numërohëet, ndërsa sot thonë gjë tjetër. Ne nuk mund t`i lejojmë”, tha Klosi.
 

Ndërsa deputeti Saimir Tahiri deklaroi se dje janë rrahur barbarisht nga policia dy protestues, të cilët nuk kishin bërë asnjë shkelje.
 

“Dy miqtë tanë janë rrahur barbarisht nga policia, sepse protestuan bashkë me ne. Shpirti ynë sot është me ata në spital. Ata që guxuan dhe vunë dorë mbi dy vëllezërit, ta mbajnë mend mirë se do japin llogari nesh dhe para ligjit”, tha Tahiri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›