E Enjte, 5 Nëntor 2026

Protesta para bashkisë Tiranë, Blushi: Koha është për aksion

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Partia Demokratike dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kanë zhvilluar sot protestën e radhës përpara bashkisë së Tiranës.

Pjesë e protestës ishte dhe Partia e Lirisë. Sekretari i përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi bëri thirrje për qëndresë dhe pjesëmarrje masive në këto tubime. Ai solli në vëmendje dhe arrestimin e presidentit të PL, Ilir Meta.

“Shqipëria sot është nën regjimin e një regjimi kriminal, nën pushtetin e një regjimi që përdor këtë narkopolici për të arrestuar dhe për të rrëmbyer Presidentin e Partisë së Lirisë, për të arrestuar, për të dhunuar protestuesit paqësorë. Vetëm në Shqipëri ndodh të arrestohesh pse proteston në paqe”, tha Blushi.

“Tre viktima dje në Shkodër, a e patë këtë polici? Ku ishin këta efektivë të policisë? Janë thjesht një eskortë ordinere e krimit të organizuar. Kemi sot edhe një sistem drejtësie të falimentuar, që vetëm drejtësi nuk jep, që nuk ka as standardet e drejtësisë kriminale të Enver Hoxhës, se janë më të paaftë, janë më kriminelë, veçse janë më qesharakë. Në cilin vend të botës ndodh, që një kryeministër, i faktuar për lidhjet e tij të tmerrshme dhe familjare me trafikun ndërkombëtar të drogës, nuk thirret një herë në Prokurori. Në cilin vend të botës ndodh, që një kryetar bashkie edhe sot e kësaj dite vijon të vjedhë qindra-milionë euro dhe nuk thirret në Prokurori”, tha Blushi.

Sipas tij, sot koha është për aksion. “Nuk është koha vetëm për rezistencë, është koha për aksion, për aksion, sepse tashmë është në duart tona për të bërë drejtësi, sepse populli nuk ka asnjë alternativë tjetër, sepse kjo drejtësi që u miratua nga të gjithë, për fat të keq, u kap nga Edi Rama dhe sot prokurorët dhe gjyqtarët, nuk janë gjë tjetër veçse toga pushkatimi kundër opozitës dhe kundër jush, kundër të gjithë atyre qytetarëve, që vetëm dy ditë më parë nuk hodhën asnjë gur, nuk shkelën dhe nuk këputën asnjë lule, u mbajtën të ndaluar në komisariate. Po vetëm këtu ndodh të arrestohesh vetëm se je paqësor”, shtoi Blushi.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›