Protesta për UÇK-në, mbahet konferenca në Tiranë! Kreu i OVL Gucati: Ne kërkojmë drejtësi, ajo gjykatë është politike dhe selektive

Të premten, më 17 tetor, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë do të zhvillohet një protestë gjithëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.
Protesta do të mbahet nën moton “Liri për Çlirimtarët e UÇK-së” dhe pritet të mbledhë pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare.
Në një konferencë për mediat, organizatorët e protestës bënë thirrje për pjesëmarrje masive, duke e cilësuar këtë tubim si një zë i fuqishëm për drejtësi dhe kundër padrejtësive që, sipas tyre, po u bëhen ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Kreu i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, theksoi se protesta ka karakter kombëtar dhe është organizuar me përkushtim prej tre muajsh.
“Protesta gjithëkombëtare në Tiranë, jemi një komb, një gjuhë, një flamur. Ne kemi dashur një protestë gjithëkombëtare në Shqipëri. Dua t’iu falënderoj për angazhimin. Ne kërkojmë drejtësi, ajo gjykatë është politike dhe selektive. Ka devijuar nga rruga e drejtësisë,” u shpreh Gucati.
Ai kritikoi ashpër Gjykatën Speciale në Hagë, duke e krahasuar me sisteme të drejtësisë në vende autoritare.
“Kosova është prerë në besë nga ndërkombëtarët. Kjo gjykatë ngjason me Rusinë, Kinën, Kubën dhe Korenë. Jo një gjykatë e mirëfilltë evropiane.”
Gucati argumentoi se zgjedhja e Tiranës si vend për protestën nuk është rastësore, por ka një simbolikë të fortë historike.
“Protesta ka një arsye pse e kemi dashur të mbahet këtu. Unë mendoj se gjeneza jonë, e UÇK-së, është pikërisht në Tiranë, në vitet ’90. Adem Jashari dhe shokët e tij, sot dëshmorë, kanë qenë në shtetin tonë, kanë gjetur strehë, kanë punuar dhe vepruar për të çliruar Kosovën nga hordhitë çetnike serbe.”
Ai e përmbylli fjalën me një thirrje të qartë për mobilizim, duke shprehur mirënjohje ndaj krerëve të shoqatave në Tiranë për angazhimin e tyre të palodhur.
Gucati theksoi se mbështetja e tyre është thelbësore për suksesin e protestës së 17 tetorit, e cila sipas tij duhet të zhvillohet me dinjitet dhe vendosmëri.
“Ju falenderoj për angazhimin që po ndërmerrni për të na ndihmuar më 17 tetor të protestojmë ashtu siç na ka hije,” u shpreh ai.
Ndërkohë, Shkëlqim Hajdari, një nga organizatorët e protestës, theksoi se tubimi është një reagim për zërin e së drejtës dhe për luftën e drejtë të bërë nga UÇK-ja dhe populli i Kosovës për liri dhe pavarësi.
“Protesta do të zhvillohet për zërin e së drejtës dhe në funksion të luftës së drejtë të bërë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli i saj për liri dhe pavarësi. Ajo është kundër mbajtjes së padrejtë nga Tribunali i Hagës të udhëheqësve të saj, me në krye ish-presidentin Hashim Thaçi.”
Kryetari i Shoqatës “Tirana”, Ruzhdi Keçi, e cilësoi organizimin e protestës si një nder dhe përgjegjësi për qytetin pritës.
“E konsideroj një nder dhe kënaqësi që të organizohemi për këtë eveniment madhor në sheshin ‘Skënderbej’, që ka pritshmëri për një pjesëmarrje të madhe. Duhet të angazhohemi në një fushatë informimi për të pasur sa më shumë pjesëmarrje. Do të ketë të pranishëm nga të gjitha trevat shqiptare.”
Keçi u bëri thirrje të gjithë kryetarëve të shoqatave dhe përfaqësuesve të komuniteteve që të mobilizojnë qytetarët për të garantuar një pjesëmarrje dinjitoze.
“Si vend pritës, na takon të bëjmë punën tonë që të gjithë kryetarët e shoqatave, si të zgjedhur të komuniteteve të ndryshme, të njoftojnë komunitetet përkatëse me qëllim që kontributi i shqiptarëve në këtë miting të japë rezultatin e vet dhe të arrijmë qëllimin.”
Vijon…
/rtsh.al/