E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Në kohë reale” – Qirjazi: 84% e të rinjve të dënuar rikthehen në krim, dhuna mes adoleshentëve, alarm për shoqërinë shqiptare

I ftuar në studion e emisionit “Në kohë reale” në RTSH1, eksperti i sigurisë Redion Qirjazi ngriti shqetësimin për rritjen e dhunës mes adoleshentëve në Shqipëri, duke theksuar se fenomeni po bëhet gjithnjë e më i përhapur në shumë qytete të vendit.

Qirjazi nënvizoi se një ndër faktorët më shqetësues është recidivizmi i lartë tek të rinjtë, ku sipas statistikave, rreth 84% e tyre rikthehen në vepra penale pas dënimit të parë. Sipas tij, kjo tregon dështimin e mekanizmave të parandalimit dhe rehabilitimit.

“Situata të tilla të dhunës ndërmjet adoleshentëve i kemi hasur shpesh në shoqërinë tonë. Po në zonën e Maliqit kemi parë sherr mes të rinjve, apo tentativa të ndryshme në Gjirokastër, Kavajë, Tiranë etj. Dhe duket qartë dhuna tek adoleshentët është problematik. Ajo që më bëri përshtypje në këtë rast se ndër të rinjtë ka qenë i dënuar më parë në burgun e të rinjve për sjellje antisociale gjë qe tregon se ka një përqindje shumë të lartë të recidivizmit në Shqipëri. Nuk është thjesht ky rast por është dhe me statistika ku rreth 84%  të të rinjve që kanë një dënim penal rikthehen dhe bëjnë vepra penale duke theksuar se mekanizmat e parandalimit nuk janë efektive”, u shpreh eksperti i sigurisë .

Qirjazi apeloi për ndërhyrje urgjente të familjes, shkollës dhe institucioneve për të frenuar këtë trend të rrezikshëm, që po minon sigurinë e të rinjve dhe të shoqërisë në tërësi.

“Edukimi në kuadër të menaxhimit të konflikteve brenda shkollës është shumë i rëndësishëm. Në shumë qytete të Shqipërisë përjashto Tiranën do të shohim se janë shumë të rinjtë të cilët kanë më çfarë të angazhohen, përpos rrjeteve sociale, janë të limituar në aktivitete sportive apo aktivitete te tjera”, tha ai.

Ai shtoi se ka pasur raste kur adoleshentët kanë shkuar në shkollë të armatosur me thika apo doreza tunxhi, duke u ndikuar nga përmbajtje të dhunshme në rrjetet sociale.

“Kemi pasur raste të adolëshentëve të cilët kanë futur në çantat e tyre thika, doreza tunxhi që përdoren në luftimet e rrugës. Dhuna që po induktohet tek të rinjtë tanë është ë madhe dhe kjo vjen kryesisht përmes rrjeteve sociale. Familja, shoqëria, institucionet shkollore,  por dhe të gjithë ato institucione të cilët përmes influencës së tyre ndikojnë në jetën e të rinjve”, theksoi Qirjazi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›