Protesta për Zvërnecin, në ditën e 25-të në Tiranë

TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Në Tiranë u zhvillua pasditen e sotme protesta e 25-të kundër projektit turistik të planifikuar në Zvërnec ndërsa qytetarët u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë.
Nën reshjet e shiut, protesta nuk pati shumë fjalime, ndërsa me pankarta dhe thirrje, protestuesit kërkuan sikundër ditët e tjera largimin e Kryeministrit Edi Rama, kreut të opozitës Sali Berisha, ndryshimin e sistemit, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin e zonave të mbrojtura.
Protestuesit vijuan thirrjet për “Shqipëri të re”, ndërkohë që pas himnit kombëtar, u rilexuan kërkesat e protestës.
Protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Një prej aktivistëve foli në podiumin e improvizuar teksa theksoi se qytetarët do e përshkallëzojnë protestat e tyre nëse pushtetarët vijojnë të uzurpojnë karriget me korrupsion.
“Përshkallëzimi i qytetarëve do shkojë deri në bllokimin e institucioneve nëse këta pushtetarë të korruptuar do vazhdojnë t’i uzurpojnë ato me dhunë”, tha ai.
Një protestues foli në lidhje me reagimet ndaj protestës duke thënë se linçimet ndaj protestuesve, i përkasin kohës së komunizmit të egër.
“Ky popull është diamant. Të qëndrojmë këtu deri në realizimin e qëllimeve tona. Rama dorëheqjen pa kompromis, e ke të merituar nga veprimet e tua”, tha ai.
Pas disa fjalimeve, organizatorët thanë se si ditë shiu do të ishte më mirë që të qëndrohej në shesh së bashku.
Protesta u mbyll me marshimin e zakonshëm të protestuesve në rrugët e Tiranës.
Protesta për Zvërnecin, në ditën e 25-të në Tiranë, foto: Andrin Hoxha 1 nga 17