Protesta për mbrojtjen e shqipes në Shkup, ambasadori Meidani: Ndalimi i të rinjve prek mirëkuptimin demokratik

TIRANË, 19 maj/ATSH/ Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani reagoi sot pas protestës së djeshme të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, ku u ndaluan tre të rinj shqiptarë.
Studentët shqiptarë protestuan pasditen e djeshme në Shkup për mbrojtjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet profesionale të mbështetur nga qindra qytetarë. Sipas organizatorëve se protesta nuk është kundër askujt, por synon mbrojtjen e gjuhës shqipe, dinjitetit dhe të drejtave të shqiptarëve si qytetarë të barabartë në Maqedoninë e Veriut.
Mediet raportuan për ndalimin e tre të rinjve shqiptarëvne kufi.
Në një postim në rrjetet sociale, Meidani e cilësoi ndalimin dhe pengimin e studentëve si një çështje që tejkalon procedurat administrative dhe prek, sipas tij, “parimet demokratike dhe vlerat europiane”.
“Kur studentë ndalohen, vonohen dhe intimidohen teksa udhëtojnë për të shprehur paqësisht solidaritet për një të drejtë gjuhësore, çështja pushon së qeni vetëm procedurale. Ajo prek vetë mirëkuptimin demokratik dhe frymën europiane që synojmë të ndërtojmë si rajon”, tha ai.
Ai theksoi se studentët shqiptarë që udhëtuan nga Tirana drejt Maqedonisë së Veriut nuk kërkuan përplasje, por shprehje solidariteti qytetar dhe mbështetje për të drejtën e testimit dhe ushtrimit të profesionit në gjuhën amtare.
“Studentët shqiptarë nga Tirana udhëtuan drejt Republikës së Maqedonisë së Veriut jo për përplasje, por për solidaritet qytetar dhe për të mbështetur një kërkesë elementare: të drejtën për t’u testuar dhe për të ushtruar profesionin në gjuhën amtare”, u shpreh Meidani.
Sipas ambasadorit, këta të rinj kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore, jo privilegje.
“Këta të rinj nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore. Dhe një kërkesë për dinjitet nuk duhet të perceptohet kurrë si kërcënim, sidomos në vende që synojnë t’i bashkohen familjes europiane dhe të ndërtojnë të ardhmen mbi vlerat e demokracisë, barazisë dhe të drejtave themelore”, u shpreh ambasadori.
1 nga 2/m.m/j.p/r.e/