Berisha: PD ka program për të gjitha problemet e situatës aktuale ekonomike

TIRANË, 19 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se ekonomia e vendit ndodhet në një situatë dramatike, teksa shtoi se kostoja e jetesës për shqiptarët është rritur me 60% gjatë katër viteve të fundit.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha tha se Shqipëria renditet ndër vendet me çmimin më të lartë të naftës, ndërsa qytetarët po përballen çdo ditë me rritje të çmimeve.
“Çmimet rriten çmendurisht. Sot, Shqipëria është njëri nga tetë vendet me çmimin e naftës më të lartë në botë. Qeveria shqiptare kryen vetëm një detyrë, vjedhjen, vjedhjen, vjedhjen e fondeve publike”, tha Berisha.
Sipas tij, vetëm 5-8% e projekteve publike përfundojnë, ndërsa të tjerat “avullojnë e grabiten”.
“Korrupsioni, vjedhja në tendera arrin në vit në 1,2 miliardë euro. Vjedhja në tendera tejkalon fondin e pensioneve të Shqipërisë. Vetëm në tendera. Shpalljet se Shqipëria investon 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm janë një mashtrim. Fakti është se investimet arrijnë gjithsej 4,9 për qind, arrijnë në shifrat më të ulëta në Evropë”, tha ai.
Berisha tha se Partia Demokratike disponon një program ekonomik të studiuar nga institucione serioze ndërkombëtare dhe paralajmëroi vazhdimin e “kryengritjeve paqësore” pas përfundimit të proceseve të brendshme në parti, me synim largimin e qeverisë.
“PD ka një program, ka një përgjigje për të gjitha këto probleme. Programi i saj është programi më i shkëlqyer, i studiuar nga institucione më serioze në Evropë dhe në botë”, tha Berisha, i cili shtoi se ky “program kërkon angazhimin e shqiptarëve” për largimin e qeverisë.
/m.q/j.p/r.e/