Protesta, policia shoqëron kreun lëvizjes studentore
Vlorë, pas tre ditësh proteste të aleancistëve, makineritë e Petroliferës ndërpresin punën. Policia, presion protestuesve
VLORË- Teksa dhjetëra përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës kanë konsideruar si sukses të protestës së tyre pezullimin e punimeve të Petroliferës, policia lokale ka ndërhyrë duke shoqëruar në komisariat katër persona. Kreu i lëvizjes studentore, Eneid Hamzaj dhe tre studentë të tjerë janë marrë me forcë nga policia e Vlorës. Kjo është hera e dytë, brenda tre ditëve, që policia shoqëron në komisariat përfaqësues të Aleancës, pasi ditën e mërkurë ka përfunduar në komisariat nënkryetarja e AMGJ-së, Drita Aga.
Shoqërimi
Policia e Vlorës ka ndaluar rreth orës 17.00 të pasdites së djeshme kreun e lëvizjes studentore Vlorë, Eneid Hamzaj së bashku me tre studentë të tjerë në vendin e quajtur ish- kampi i punëtorëve, pranë pyllit të sodës. Makina me studentët ishte drejtuar për tek vendi ku po zhvillohet prej ditësh protesta e aleancistëve ndërsa policia i kishte zënë pritë prej kohësh. Përveç Eneid Hamzajt, kreut të lëvizjes studentore, janë shoqëruar në komisariatin e policisë së Vlorës dhe studentët Bruno Bollogati, Enerald Malaj dhe Endri Ibrahimi ndërsa është lënë i lirë shoferi i makinës tip "Audi 80" me targa "VL 4153 B", Febi Shkurti. Edhe pas këtij veprimi të policisë, aleancistët janë shprehur tepër të vendosur për të vazhduar me vendosmëri bllokimin e rrugës deri në paraqitjen e referendumit popullor. Ata kanë pohuar se nuk tremben aspak nga presionet e policisë që duhet theksuar që ka rritur së tepërmi presionin ndaj drejtuesve si dhe ndaj studentëve që vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar rrugën që të shpie për në kantjeret e Petrolifierës.
Protesta
E kanë cilësuar fitoren e parë, teksa kanë cituar se do të vijojnë luftën për referendum. Sipas aleancistëve, ditën e djeshme makineritë e rënda të Petrolifierës janë detyruar të fikin motorët e tyre për të parën herë që prej fillimit të ndërtimit të depozitave të naftës. Aleancistët, edhe ditën e djeshme nuk e kanë liruar rrugën e cila ka plot 48 orë që është bllokuar nga gomat, makinat dhe përfaqësues të AMGJ-së, studentë si dhe qytetarë të Vlorës. Ata kanë hedhur kështu një hap përpara në mbrojtje të qytetit të tyre si dhe të fëmijëve të tyre me këtë pezullim që i kanë bërë punimeve të Petrolifierës. "Ne me protestën tonë dhe me bllokimin që i kemi bërë rrugës, ku kalonin makineritë që punonin për ndërtimin e Petroliferës kemi hedhur hapin e parë ndaj qëllimit tonë, pasi një pjesë e mjeteve janë tërhequr duke mos pranuar të bëjnë rrugën tjetër dytësore për te ndërtimet",- tha dje Rezart Aliaj, kryetari i AMGj-së. Sipas tij, policia duhet të jetë në mbrojtjen e aleancës dhe jo t'i kërcënojë duke u sjellë fletushka me përmbajtje të neneve të kodit penal për bllokime rruge në mënyrë të paligjshme. "Policia duhet të shikojë kodin penal për prerjen e pemëve, të cilat vijojnë dhe kjo e fundit do të jetë objekt i denoncimit tonë në organet e drejtësisë"- tha ai. Ai ka kujtuar se aleanca ka bërë të mundur zhbllokimin e një pjese të vogël të rrugës për të kaluar vetëm makinat e vogla, të cilat të kenë mundësi të shkojnë në banesat dhe në lokalet të cilat ndodhen në zonën e Triportit. Të gjithë aleancistët, janë shprehur të vendosur se nuk do të lejojnë më të vijojnë punimet. TË SHOQËRUARIT
Eneid Hamzaj
Endri Ibrahimi
Bruno Bollogati
Enerald Malaj