E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhi qeveritar, interesat kapin 8.5%

Interesat e Bonove të Thesarit shkojnë në nivelin më të lartë të gjithë vitit 2007
Interesat e borxhit qeveritar i janë ofruar ndjeshëm nivele më të larta të emetuara gjatë viteve të fundit, pavarësisht premtimit të Ministrisë së Financave për një kosto në ulje të borxhit të brendshëm.
Kostoja e borxhit qeveritar ka pësuar një rritje të re gjatë fundit të vitit 2007, periudhë në të cilën bankat duket se janë më të interesuara për të drejtuar në favor të tyre interesat në rritje. Në ankandin e fundit të zhvilluar gjatë ditës së djeshme nga ana e BSH-së, interesat e bonove të emetuara kanë arritur një nivel në 8.5%. Ky interes është rreth 0.5 pikë përqindje më i lartë se ai me të cilin janë ofruar bonot e thesarit gjatë 2 muajve më parë. Interesat e borxhit qeveritar i janë ofruar ndjeshëm nivele më të larta të emetuara gjatë viteve të fundit, pavarësisht premtimit të Ministrisë së Financave për një kosto në ulje të borxhit të brendshëm.
Kontrolli mbi borxhin qeveritar
Megjithëse Banka e Shqipërisë mbetet një nga mbajtësit kryesorë të borxhit qeveritar, pjesa tjetër e këtij borxhi kontrollohet nga pak banka të nivelit të dytë, që në raste të caktuara mundohen që të shfaqin ndikimin e tyre në përcaktimin e interesave. Gjatë gjithë vitit 2007 Ministria e Financave ka paraqitur skemën e saj për rritjen e afatit të maturimit të borxhit qeveritar dhe për shtimin e pjesëmarrësve në ankandet e emetimit të bonove të thesarit, që mbeten edhe instrumentet kryesore të marrjes borxh të qeverisë. Por, pavarësisht këtij fakti, kostoja e borxhit qeveritar është e lartë. Niveli prej 8.5% i bonove të thesarit, që në dallim nga depozitat e kthejnë interesin që në fillim të periudhës, mbetet tepër i lartë.
Kredia më e shtrenjtë
Një pjesë e bankave të nivelit të dytë dhe institucioneve të ndryshme financiare e përdorin nivelin e interesave të borxhit qeveritar, si interes bazë për të dhënë një kredi. Mbi këtë interes caktohet një shtesë tjetër interesi për riskun që mbart klienti. Kështu, niveli i interesave të borxhit qeveritar është një nga faktorët kryesorë në caktimin e interesave tregtarë të bankave të nivelit të dytë. Një bankë nuk mund të japë kredi me risk poshtë nivelit të interesave që shet qeveria letrat me vlerë, pasi ajo është e lirë në blerjen e këtyre investimeve në treg.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›