Protesta/Digjen koshat e mbeturinave te Ministria e Arsimit, refuzohen deputetët e PD

Aktualitet | 3 orë më parë
Në Tiranë po zhvillohen këtë të shtunë, 31 tetor, dy protesta kombëtare: njëra e organizuar nga studentët, pedagogët dhe të rinjtë para Ministrisë së Arsimit, dhe tjetra e thirrur nga Partia Demokratike para Kryeministrisë.
Protesta studentore vijon prej 19 ditësh, ndërsa Partia Demokratike ka organizuar tubimin e saj të dytë kombëtar në mbështetje të studentëve.
Situata është tensionuar pasi studentët kanë refuzuar bashkimin e protestuesve të PD-së me tubimin e tyre.
Zhvillimet minutë pas minute:
Ora 14:56 – Vijon tensioni në protestën para Ministrisë së Arsimit. Disa protestues kanë qëlluar me llastiqe dhe kapsolla në drejtim të policisë.
Protestuesit e maskuar janë rreshtuar përballë efektivëve të policisë dhe kanë qëlluar në drejtim të tyre me llastiqe.
14:10 – Tension para Ministrisë së Arsimit, digjen kosha dhe kartonë
Situata është tensionuar para Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit kanë ndezur tymuese blu dhe të kuqe. Gjithashtu, janë djegur kartonë dhe kosha mbeturinash në rrugën përpara institucionit.
13:43 – Studentët nuk lejojnë bashkimin e protestuesve të PD-së
Protestuesit e mbledhur para Ministrisë së Arsimit nuk kanë mirëpritur pjesëmarrësit e protestës së Partisë Demokratike dhe nuk kanë lejuar bashkimin e tyre me protestën studentore.
13:32 – PD thërret protestën e dytë kombëtare në mbështetje të studentëve
Partia Demokratike ka organizuar protestën e saj të dytë kombëtare, në mbështetje të studentëve, të cilët shënojnë ditën e 19-të të protestës. Sipas raportimeve nga terreni, protestuesit e PD-së pritet të marshojnë drejt bulevardit.
12:13 – Studentët dhe pedagogët mblidhen para Ministrisë së Arsimit
Studentët dhe pedagogët janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit, në vijim të protestës së tyre kundër situatës në arsim. Ata kanë refuzuar ftesat për dialog të kryeministrit Edi Rama, duke këmbëngulur në plotësimin e kërkesave të tyre përpara nisjes së negociatave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.