Protestat gjunjëzojnë Netanyahun, pezullohen përkohësisht reformat e diskutueshme gjyqësore

Pas disa javësh protestash masive në Izrael, kryeministri Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar vendimin për të pezulluar përkohësisht reformat e diskutueshme gjyqësore të qeverisë së tij.
“Projektligji nuk do të hidhet në votim në parlament deri në fund të prillit. Ne jemi në mes të një krize që kërcënon unitetin tonë thelbësor”, tha Netanyahu.
Ai paralajmëroi për rrezikun e një luftë civile që nuk duhet të ndodhë. “Të gjithë duhet të veprojnë me përgjegjësi”, shtoi ai.
Më herët, ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir tha se së bashku me Netanyahu kishin rënë dakord për shtyrjen e reformës. Sipas raporteve të medieve, Ben-Gvir dhe Netanyahu ishin takuar më herët për një seancë urgjente në të cilën Ben-Gvir kishte kërcënuar se do të jepte dorëheqjen nëse Netanyahu nuk i përmbahej planeve të reformës.
Ndërkohë, presidenti i Izraelit Isaac Herzog e përshëndeti pezullimin. “Është e drejtë të pezullohet legjislacioni. Tani është koha për të filluar një dialog të sinqertë, serioz dhe të përgjegjshëm që do të ndreqë urgjentisht mosmarreveshjet dhe do të ulë tensionet”, tha Herzog ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve të vepronin me përgjegjësi.
Netanyahu ka zhvilluar dje në mbrëmje bisedime me Gantz. Gantz thuhet se i bëri thirrje kryeministrit të anulojë vendimin e tij për të shkarkuar ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, i cili kishte kundërshtuar publikisht planet e qeverisë.
/rtsh/
Gazetare: Teuta Shamku