Protestat kundër AfD-së përhapen në Gjermani, e djathta ekstreme fiton terren në dy lande të tjera

Mijëra gjermanë kanë zhvilluar protesta kundër partisë së ekstremit të djathtë Alternative für Deutschland (AfD), pasi partia shënoi një fitore historike në zgjedhjet në një land, duke paralajmëruar se ajo përbën rrezik në dy zgjedhje të tjera që do të zhvillohen këtë muaj.
Protestuesit në Portën e Brandenburgut në Berlin morën pjesë në një tubim paqësor pro-demokracisë, ku dënuan AfD-në kundër emigracionit dhe në favor të Rusisë. Partia ka bërë thirrje për dëbime masive të azilkërkuesve dhe për kufizimin e mbështetjes shtetërore për energjinë e rinovueshme dhe transmetuesit publikë.
Partia shënoi rezultatin më të mirë ndonjëherë në nivel landi në landin lindor të Saksonisë-Anhalt të dielën, duke hyrë me një moment të fortë përpara zgjedhjeve rajonale në Berlin dhe në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore, në bregdetin e Detit Baltik, më 20 shtator.
Policia raportoi rreth 5,000 protestues, ndërsa organizatorët thanë se në tubim morën pjesë më shumë se 14,000 persona, në kuadër të një fushate për të mobilizuar votuesit kundër AfD-së. Në pankartat e turmës shkruhej: “Fashizmi nuk është alternativë”, “Ndaleni AfD-në naziste: jepini fund racizmit dhe shkurtimeve në shërbimet sociale” dhe “Historia i ka sytë te ne”.
Më pak se dy javë deri në ditën e zgjedhjeve, protestuesit në Berlin paralajmëruan kundër dorëzimit dhe cinizmit pas rezultatit befasues të së dielës.
AfD-ja mori pothuajse 44% të votave në Saksoni-Anhalt, rezultati më i mirë për një parti nativiste (që promovon idenë se vendasit duhet të kenë përparësi ndaj emigrantëve) që nga periudha naziste. Jens-Christian Wagner, drejtori i memorialit në ish-kampin nazist të përqendrimit Buchenwald, e cilësoi këtë rezultat si një “turp që të zemëron dhe të lë të shtangur”.
Wagner ngriti alarmin se AfD-ja, megjithëse nuk arriti një shumicë absolute, është pranë marrjes së pushtetit në Saksoni-Anhalt, gjë që do të përbënte herën e parë që e djathta ekstreme do të merrte pushtetin në një land gjerman që nga Lufta e Dytë Botërore. Kjo, tha ai, “nuk duhet pranuar në heshtje”.
Max Schneller, 17 vjeç, anëtar i së majtës radikale Linke nga Saksoni-Anhalt, tha se aktivistët në land do të kundërshtonin çdo përpjekje të një qeverie të AfD-së për të goditur pakicat.
“Ne nuk do të fillojmë t’i kategorizojmë fqinjët tanë sipas origjinës, fesë apo ngjyrës së lëkurës – jemi shumë njerëzorë për të urryer”, tha ai, duke marrë duartrokitje të forta.
AfD-së i mungojnë tre vota për mbështetjen e nevojshme për të formuar një qeveri nën kandidatin e saj, Ulrich Siegmund, një politikan i zjarrtë dhe me aftësi të mira mediatike, i cili shpreson të bindë disa deputetë të pakënaqur nga partitë e tjera që të mbështesin kandidaturën e tij.
Agjencia gjermane e inteligjencës së brendshme e ka klasifikuar që prej vitit 2023 degën e partisë në këtë land si ekstremiste të djathtë, duke deklaruar se ajo përbën kërcënim për normat demokratike.
Qindra protestues kundër AfD-së u mblodhën gjithashtu në Potsdam, pranë Berlinit. Tubime të tjera u organizuan në Münster, Göttingen, Dresden, Aachen, Bamberg, Darmstadt dhe Halberstadt, në Saksoni-Anhalt, sipas raportimeve të mediave lokale.
Në Halle, qyteti i dytë më i madh i rajonit, grupet e majta dhe organizatat e shoqërisë civile kanë organizuar një kamp proteste që prej ditës së zgjedhjeve.
AfD-ja kryeson në sondazhet për preferencat e votuesve në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore, me rreth 35%. Megjithatë, Partia Socialdemokrate (SPD) e qendrës së majtë, e drejtuar në land nga kryeministrja Manuela Schwesig, ka bërë një rikthim të dukshëm gjatë verës dhe tani po merr mbi 30% në sondazhe.
Në Berlin, një nga 16 landet federale të Gjermanisë, situata është më e paqartë, me disa parti që garojnë për vendin e parë. Berlini qeveriset nga një koalicion i Kristian Demokratëve konservatorë (CDU) dhe SPD-së.
CDU-ja, partia e kancelarit Friedrich Merz, ka një avantazh shumë të ngushtë në kryeqytet, me rreth 20%. Popullariteti rekord i ulët i Merzit raportohet se ka ndikuar ndjeshëm te votuesit në Saksoni-Anhalt.
Pas CDU-së renditet Linke, e cila e ka përqendruar fushatën te rritja e fortë e kostove të banimit. Më pas vjen AfD-ja, e ndjekur nga SPD-ja dhe të Gjelbrit, të cilët të dyja partitë po marrin rezultate në mesin e 10-përqindëshit.
Merz është zotuar të qëndrojë në detyrë dhe të çojë përpara një paketë të rëndësishme reformash të dhimbshme, duke argumentuar se e vetmja mënyrë për ta mposhtur AfD-në është rikthimi i ekonomisë më të madhe të Evropës në rritje dhe riparimi i sistemit të saj të dobësuar të mirëqenies sociale.
Megjithatë, SPD-ja, partnerja e tij e vogël në koalicion, ka sinjalizuar se është e gatshme të tërhiqet nga disa prej masave më të papëlqyera, me qëllim forcimin e mbështetjes për qeverinë e përballur me vështirësi. Analistët thonë se kjo përplasje mund të destabilizojë më tej koalicionin e brishtë.