E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat ne Brazil presidentja krenare

Presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff, tha se ishte krenare me dhjetra-mijëra njerëzit, që dolën në rrugë të kërkonin arsimim më të mirë, shkolla dhe transport.

Qeveria ime po i dëgjon zërat, që thërrasin për ndryshim, u shpreh kryetarja e shtetit, në të parat komente, që prej shpërthimit të protestave mbrëmjen e së hënës, të cilat u shtrinë në 12 qytete të vendit. “Qeveria dhe shoqëria e dinë se çdo lloj forme e dhunës është shkatërrimtare dhe, fatkeqsisht, nuk bën gjë tjetër veçse gjeneron dhunë më tej. Ne këtë nuk e pranojmë dot. Megjithatë, kjo nuk e pakëson shpirtin paqësor të atyre, që kanë dalë të kërkojnë të drejtat e veta demokratike. Këta njerëz duhen dëgjuar, sepse ky është qartazi mekanizmi i partive politike, klasave shoqërore dhe shtypit”, tha Dilma Roussef, presidente e Brazilit. Protestat nisën si valë indinjate ndaj rritjes së kostos së transportit publik dhe  shpenzimeve të mëdha për Kupën e Botës në 2014-tën. Çmimi i biletave të autobusëve u shtua nga 3 realë ose një dollar, në 3,20. Por, më vonë ato u kthyen në akuza të drejtuara ekzekutivit për keqqeverisje. Tubimet u organizuan më së shumti nga të rinjtë, nëpërmjet medias sociale. Qyteti më i madh i vendit, Sao Paulo, pati grumbullimin kryesor me rreth 65.000 njerëz, ndërsa në Rio de Janeiro gati 10.000 vetë marshuan paqësisht drejt qendrës së qytetit, teksa më vonë u raportuan përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë. Rusef u shpreh se Brazili u zgjua një vend më i fuqishëm pas këtyre ngjarjeve dhe shtoi se përmasat e marshimeve të së hënës ishin dëshmia e forcës së demokracisë. Protestat janë më të mëdhatë, që prej vitit 1992, kur brazilianët dolën nëpër rrugë me thirrjet për largimin e presidentit Fernando de Mello. Tubimet pritet të vazhdojnë, dhe një miting madhor është planifikuar të mbahet në Rio de Jneiro, të mërkurën. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›