E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Protestat në Izrael, turmat përballen me policinë kundër miratimit të ligjit në drejtësi

Policia izraelite u përlesh me turmat e protestuesve gjatë natës pasi parlamenti miratoi një ligj për të kufizuar kompetencat e Gjykatës së Lartë.

Masa, pjesë e një pakete të madhe reformash do të parandalojë gjykatën të rrëzojë veprimet e qeverisë që i konsideron të paarsyeshme.

Policia izraelite përdori ujë për të shpërndarë protestuesit që bllokonin autostradat. Kritikët thonë se reformat e qeverisë së djathtë kërcënojnë demokracinë izraelite.

Pas muajsh protestash masive në rrugë për reformën në drejtësi, votimi i së hënës në parlament ishte një fitore e rëndësishme për kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Por një grup mbikëqyrës politik dhe kreu i opozitës qendrore Yair Lapid planifikojnë t’i bëjnë kërkesë Gjykatës së Lartë për të anuluar ligjin e ri.

Për më tepër, konfederata e sindikatave të Histadrutit të Izraelit ka kërcënuar me një grevë të përgjithshme dhe mijëra rezervistë ushtarakë, duke përfshirë pilotët e forcave ajrore, janë zotuar se nuk do të paraqiten në detyrë nëse ligji lejohet të zbatohet.

Netanyahu ka këmbëngulur se ligji është i nevojshëm që qeveria “të zbatojë politikën në përputhje me vendimin e shumicës së qytetarëve të vendit” citon BBC.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›