Protestë në Beograd kundër dhunës me armë

Dhjetëra mijëra qytetarë serbë u mblodhën në Beograd për të protestuar sërish ndaj dhunës me armë, ndërsa kanë kërkuar situatë më të mirë sigurie në vend, një ndalesë ndaj mediave që promovojnë dhunën si dhe dorëheqjen e ministrave kyç të qeverisë.
Kjo është protesta e dytë kundër dhunës, e cila u organizua nga parti të opozitës parlamentare pro-evropiane, pas dy sulmeve masive me armë që tronditën vendin javën e shkuar.
Për rreth dy orë protestuesit bllokuan urën Gazela, e cila është më e qarkulluara në autostradën në Beograd, duke thënë se Gazela është “i vetmi institucion në vend që funksionon”.
Partitë opozitare dhe grupet e të drejtave të njeriut akuzojnë presidentin Aleksandër Vuçiç dhe partinë e tij progresive për autokraci, shtypje të medias, dhunë ndaj kundërshtarëve politik, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, akuza këto që janë hedhur poshtë nga Vuçiç dhe aleatët.
Para mbajtjes së protestës, Vuçiç akuzoi opozitën se luan me ndjenjat e popullit dhe iu bëri thirrje mbështetësve të tij të mblidhen në një miting në datën 26 maj.
Ne datën 4 maj, një nxënës 13 vjeçar vrau 8 bashkëmoshatar të tij dhe një roje sigurie në shkollën që frekuentonte. Një ditë më pas, një 21 vjeçar iu mori jetën tetë personave në një sulm me armë.
Të dy agresorët iu dorëzuan policisë. Qeveria ndërkohë ka dislokuar rreth 2 mijë forca policore në 1800 shkollat e vendit, ndërkohë që janë urdhëruar ata që kanë armë të paligjshme t’i dorëzojnë ato. Sipas Vuçiç, deri tani janë dorëzuar rreth 10 mijë armë.
/rtsh.al/