E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestë në Klos kundër bashkimit me Bashkinë Mat, punonjësit dhe banorët paralajmërojnë bojkot të zgjedhjeve të 2027

Punonjësit e administratës së Bashkisë Klos kanë protestuar për rreth dy orë përpara godinës së bashkisë, kundër vendimit të qeverisë për bashkimin e Bashkisë Klos me Bashkinë Mat, me qendër në Burrel.

Protestuesit shprehen se, nëse kjo bashki do të shkrihet dhe do të bashkohet me Bashkinë Mat, qytetarët e Klosit nuk do të marrin shërbimet e nevojshme dhe do të kenë më shumë vështirësi për të zgjidhur problematikat e tyre.

“Qytetarët e Klosit kanë tepër të drejtë. Klosi është një zonë në zhvillim sidomos me hapjen e rrugës së Arbrit. Parametrat e bashkisë janë në rritje. Kam frikë se me mbylljen e bashkisë do të ikin edhe institucione të tjera si arsimi, do shpopullohet vendi, s’do ketë më fëmijë këtej”, tha një protestues.

“Unë njëherë unë jam kundër këtij projekti që kanë bërë këta. Më mirë të na çojmë me Tiranën sepse ne s’do marrim pjesë fare në votime në qoftë se këta na bashkojnë me Burrelin”, tha një tjetër.

“Jemi mbledhur për të mbrojtur identitetin, përfaqësimin dhe të ardhmen e bashkisë Klos. Klosi nuk është thjesht një territor në hartë. Ai është një bashkësi me histori, tradita, kulturë dhe nevoja të veçanta. Bashkia Klos përbëhet nga katër njësi administrative, Klos, Gurrë, Suç dhe Xibër, me një shtrirje të konsiderueshme territoriale dhe karakteristika të veçanta gjeografike e sociale. Bashkimi me Burrelin nuk garanton automatikisht më shumë zhvillimin. Përkundrazi, ekziston rreziku që vendimmarrja të përqëndrohet larg qytetarëve të Klosit, duke e bërë më të vështirë marrjen e shërbimeve dhe zgjidhjen e problemeve të përditshme. Një nga parimet themelore të vetëqeverisjes vendore është që vendimet të merren sa më parë pranë qytetarëve në mënyrë që nevojat e tyre të dëgjohen dhe të adresohen në kohë.

Ky është edhe misioni i vetëqeverisjes vendore sipas legjislacionit shqiptar. Në vitet e fundit bashkia Klos ka realizuar investime të rëndësishme në infrastrukturë, ujësjellës, arsim dhe shërbime publike. Këto investime tregojnë se bashkia ka qenë funksionale dhe ka dëshmuar se është në gjendje të zhvillojë dhe të ofrojë shërbime për qytetarët e saj. Një bashkim administrativ mund të sjellë humbje të përfaqësimit lokal, ulje të vëmendjes ndaj zonave rurale dhe zbehje të identitetit të komunitetit tonë. Banorët e Klosit meritojnë të kenë një institucion që i njeh problemet e tyre, që është pranë tyre dhe që punon çdo ditë për interesat e tyre. Ne nuk jemi kundër reformave. Ne jemi në favor të reformave që përmirësojmë jetën e qytetarëve, jo atyre që rrisin distancën mes qytetarit dhe institucioneve. Prandaj kërkojmë që bashkia Klos të vazhdojë të mbetet një njësi e pavarurve të qeverisjes vendore me kompetencat e plota për të zhvilluar territorin e saj, për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të garantuar një administrim sa më pranë”, tha një tjetër protestuese.

Pas qëndrimit për rreth dy orë përpara godinës së bashkisë, protestuesit kanë marshuar nëpër rrugët e qytetit të Klosit.

Ndërkohë, protesta e radhës pritet të nisë në orën 18:00, në qendër të qytetit të Klosit. Në këtë protestë pritet të bashkohen banorë nga të gjitha njësitë administrative dhe zonat e thella të Bashkisë Klos, të cilët kundërshtojnë shkrirjen dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat.

Protestuesit deklarojnë se, në rast se vendimi do të miratohet dhe Bashkia Klos do të bashkohet me Bashkinë Mat, ata do të bojkotojnë zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke mos marrë pjesë në votime për asnjë forcë politike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›