Protestë pranë gjirit të Kakomesë, banorët heqin rrethimin

TIRANË, 21 qershor /ATSH/ Banorë nga Nivica dhe zonat përreth si dhe emigrantë të ardhur nga Greqia, zhvilluan sot një protestë pranë gjirit të Kakomesë.
Siç raportojnë mediet, protestuesit hoqën sot muret rrethuese, godinat e rojave dhe telat rrethues në gjirin e Kakomesë, vetëm dy ditë pasi ishte hequr edhe porta në hyrje të gjirit, në atë që e quajtën “tokë e të parëve të tyre”.
Mes thirrjeve kundër asaj që e cilësuan si grabitje të pronave, protestuesit deklaruan se nuk do të lejojnë që tokat e trashëguara ndër breza të zaptohen nga oligarkë apo investitorë të favorizuar politikisht.
“Tokat e të parëve do t’i mbrojmë me gjak”, u shprehën ata gjatë protestës.
Banorët kujtuan se beteja ligjore për Kakomenë vazhdon prej vitit 2004, duke u shndërruar në një nga konfliktet më të gjata të pronësisë në jug të vendit. Sipas medieve, ata thanë se gjatë këtyre më shumë se dy dekadave janë zhgënjyer nga të gjitha forcat politike, të cilat sipas tyre kanë premtuar zgjidhje, por nuk kanë dhënë përgjigje përfundimtare për çështjen e pronave.
Sipas protestuesve, bëhet fjalë për rreth 29 mijë hektarë tokë, për të cilat proceset administrative dhe ligjore vijojnë prej më shumë se 20 vitesh.
Nga ana tjetër përmes një postimi në rrjetet sociale, deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Ardit Bido, thekson se Kakomeja i përket Nivicës.
“E drejta e mohuar e banorëve mes kalvarit gjyqësor duhet të marrë fund nga gjykatat. Njëherazi, askush nuk mund të ndalojë askënd të vizitojë Manastirin e Shën Mërisë dhe plazhin piktoresk.
Ndaj, qëndrimi im ka qenë i qartë edhe më parë, kur kam kërkuar që ajo portë të hiqet. Këtë kërkesë e kam bërë edhe këto ditë dhe lajmi se dera është hequr është një hap i parë i mirë. Rëndësi ka që ajo të mos kthehet më kurrë”, theksoi ai.
Sipas tij është i rëndësishëm moslejimi i infektimit të protestës nga politikanë dhe grupe që kërkojnë ta përdorin për agjendat e tyre nacionaliste, veçanërisht ato të nacionalizmit politik grek.
“Ruajeni si një protestë qytetare, sepse vetëm kështu kauza e drejtë nuk humbet mes interesave politike”, shkruan Bido.
/m.q/r.e/