Protestuesit: Sot e 100 vjet n’qafë na keni

Lëvizja për Bashkim e ka mbajtur sot një protestë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë.
Qindra qytetarë kanë protestuar kundër marrëveshjeve të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat sipas tyre do të çojnë në ndarjen e Mitrovicës dhe krijimin e institucioneve paralele në veri.
Me parullat: “Pa bashkim s’ka kuptim”, “Presheva është Kosovë”. “Një Mitrovicë”, “Sot e 100 vjet n’qafë na keni”, protestuesit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj marrëveshjeve të dëmshme në kurriz të Kosovës dhe lënies së Kosovës Lindore jashtë agjendës së bisedimeve në Bruksel.
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, tha se Kosova, që nga fillimi i bisedimeve me Serbinë është pozicionuar gabimisht, sepse në Bruksel ka shkuar për t’i mbrojtur kompromiset e mëhershme të mishëruara në Pakon e Ahtisarit dhe në Kushtetutën e Kosovës, e jo për t’i shtruar për zgjidhje problemet, që Kosovës i kanë mbetur pas shpalljes së pavarësisë, siç janë spastrimi etnik i pjesës veriore të Mitrovicës dhe “çështja e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës Lindore të mbetur nën Serbi”.
Klinaku theksoi se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, pa kthimin e shqiptarëve në pronat e veta në Mitrovicë dhe pa bashkimin e qytetit të Mitrovicës si dhe pa “zgjidhjen e çështjes së Kosovës Lindore”./Indeksonline/