Protestuesit izraelitë kërkojnë armëpushim, shtohet trysnia ndaj kryeministrit Netanyahu

Izraelitët dolën të shtunën në mbrëmje në rrugët e vendit për të shprehur keqardhjen dhe zemërimin e tyre pas gjetjes së trupave të 6 pengjeve në Gazë. Ata thërrisnin “ Tani tani” ndërsa i kërkonin Kryeministrit Benjamin Netanyahu të arrijë një marrëveshje armëpushimi në mënyrë që pengjet e mbetur në Gazë, të kthehen të gjallë në shtëpitë e tyre.
Protestat po shënojnë një nga thirrjet më të forta deri tani për kryeministrin izraelit, që të nënshkruajë një armëpushim. Sindikata më e madhe e Izraelit, Hisdraut ka thirrur të hënën një grevë të përgjithshme, duke shtuar më tej trysninë ndaj qeverisë. Greva pritet të prekë sektorët kryesorë të ekonomisë, përfshirë bankat, spitalet dhe aeroportin kryesor të vendit. Kjo do të ishte greva e parë e përgjithshme që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor.
Në protestat e së shtunës pritej të merrnin pjesë dhjetëra mijëra izraelite. Shumë prej tyre fajësojnë zotin Netanyahu se ka dështuar të arrijë armëpushim pas rreth 11 muajsh luftime citon VOA.
Negociatat për një marrëveshje të tillë janë zvarritur për muaj të tërë. Ushtria izraelite ka pranuar vështirësitë për shpëtimin e pengjeve të mbetura dhe ka thënë se marrëveshja është rruga e vetme për të bërë të mundur rikthimin e pengjeve në shkallë të gjerë.
/rtsh/