E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestuesit kthehen pranë Kuvendit të Kosovës, 12 të lënduar

PRISHTINË, 5 tetor/ATSH/ Protestuesit janë kthyer në numër të madh në sheshin “Skënderbeu” pranë ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Atyre u janë bashkuar edhe deputetë të dy partive opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca.

Mes tyre dhe ndërtesave institucionale po qëndrojnë oficerë të shumtë policorë.

Policia e vendosi kordonin para hyrjes në perimetrin e Qeverisë dhe Kuvendit, siç ka ndodhur në protestat e përnatshme paqësore qëkurse Gjykata Speciale i dënoi me burgim ish-krerët e UÇK-së më 16 shtator.

Gjendja është qetësuar pas përplasjeve disaorëshe dhe policia nuk po tenton t’i largojë ata nga ky shesh.

12 të lënduar në protestë

Shefi i Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, i tha Radios Evropa e Lirë se 12 persona – një polic dhe 11 civilë – kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga protesta e sotme.

Sipas tij, kërkesat për trajtim mjekësor kishin të bënin kryesisht me gazin lotsjellës.

Tre prej të lënduarve, sipas Sylës pësuan “plagë prerëse në pjesë të ndryshme të trupit”.

Sipas tij, të gjithë pacientët e trajtuar janë liruar nga spitali pasi nuk janë në rrezik për jetën.

Policia përdori gaz lotsjellës para Kuvendit, pasi disa protestues që kërkonin miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen hodhën mjete piroteknike drejt ndërtesës.

Kuvendi i miratoi ndryshimet në lexim të parë, por votimi përfundimtar mbetet në pikëpyetje. Deputetë të LVV-së u larguan, ndërsa PDK-ja u bëri thirrje të kthehen. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›