Protestuesit mblidhen para Kuvendit, qëllojnë me vezë makinat e dy deputetëve

TIRA NË, 20 korrik/ATSH/ Automjetet e deputetit socialist, Bledi Çuçi dhe ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, janë qëlluar me vezë nga protestuesit të mbledhur përpara Kuvendit në nisje të seancës plenare.
Ndërsa pritet seanca plenare e Kuvendit për të shqyrtuar raportet vjetore të institucioneve kushtetuese dhe të drejtësisë, një grup protestuesish u mblodhën jashtë godinës së Kuvendit.
Nuk raportohet për incidente mes protestuesve dhe policisë.
Me thirrjet “Rama jep dorëheqjen” protestuesit shprehen se do të vijojnë tubimet deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Në zonën përreth Kuvendit është ngritur një perimetër sigurie, ndërsa forcat policore janë vendosur pas barrierave metalike.
Policia ka spostuar protestuesit dhe i ka nxjerrë jashtë rrethimit me gardh metalik të vendosur te Kuvendi, ndërkohë që nuk ka hasur rezistencë nga ana e tyre.
Po ashtu, pranë godinës së Kuvendit janë pozicionuar edhe autobotë me ujë, në gatishmëri për çdo përshkallëzim të situatës.
Deputetët e parë janë futur në mjediset e Kuvendit normalisht pasi nuk raportohet për përplasje apo incidente me protestuesit.
/m.m/j.p/