E Diel, 1 Nëntor 2026

Diskutimi i projektrezoltuave të disa institucioneve shtyhet për në seancën e ardhshme plenare

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Kuvendi miratoi me 76 vota pro dhe 25 kundër propozimin për shtyrjen e shqyrtimit të projektrezolutave për veprimtarinë e disa institucioneve kushtetuese dhe të pavarura për në seancën e ardhshme plenare.

Vendimi erdhi pas bllokimit të foltores nga opozita, e cila nuk pranon që Avokati i Popullit, Endrit Shabani të paraqesë projektrezolutën, duke mos e njohur Shabanin si drejtues të Institucionit të Avokatit të Popullit, pasi sipas Partisë Demokratike, emërimi i tij është realizuar në mënyrë antikushteteuse dhe për këtë kanë paraqitur edhe një kallëzim në Gjykatën Kushtetuese.

Në këto kushte, Partia Socialiste propozoi shtyrjen shqyrtimit të projektrezolutave për seancën e ardhshme, më 23 korrik 2026.

Propozimi u paraqit nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili tha se “ishte e papërshtatshme që institucione si Avokati i Popullit të konsideroheshin se e kishin përmbushur detyrimin kushtetues të raportimit vetëm përmes raportit të shkruar”.

“Është absurde që një institucion kushtetues si Avokati i Popullit, raportimi i të cilit në Kuvend parashikohet nga neni 63 i Kushtetutës dhe që tradicionalisht ka raportuar i pari në Kuvend, të konsiderohet se e ka kryer raportimin vetëm përmes paraqitjes së raportit me shkrim”, tha Balla.

Balla bëri të ditur se mazhoranca ka pranuar në mënyrë konsensuale propozimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike që gjashtë institucionet e planifikuara për të raportuar në këtë seancë të ruanin praktikën e raportimit në seancë plenare.

Balla propozoi që shqyrtimi i projektrezolutave për Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH), Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Avokatin e Popullit të vijojë në seancën e ardhshme.

Nga ana e tij, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kundërshtoi propozimin e Ballës, duke deklaruar se ndryshimi i rendit të ditës në një seancë plenare përcaktohet nga kryetari i Kuvendit.

“Meqë bie dakord për të ndryshuar renditjen, ta vazhdojmë seancën tani. Kanë ardhur për të raportuar, t’i dëgjojmë dhe të vazhdojmë diskutimin me institucionet e tjera”, tha Bardhi.

Bardhi shtoi se opozita kërkon që raportimet të vijojnë sipas rendit të ditës, duke nisur me Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, theksoi se rendi i ditës nuk mund të ndryshohet gjatë zhvillimit të seancës për shkak të bllokimit fizik të foltores.

Peleshi sqaroi se as Balla dhe as deputetët nuk kanë kompetencë të vendosin rendin e ditës së seancës pasardhëse, por kanë të drejtë të paraqesin propozime sipas rregullores së Kuvendit.

“Rendin e ditës e shpall kryetari i Kuvendit, nuk mund të vendosim pas shtatë orësh si do ta bëjmë aq më keq në presionin e bllokimit fizik të foltores. Nuk i vlen askujt. Si mund të bllokosh Kuvendin se nuk të pëlqen dikush? Ju thoni është antikushtetues se e shpall unë, të ligjshëm a të paligjshëm e shpallin gjykatat. Nëse do të ishte pranuar nga Gjykata Kushtetuese do ta zbatonim, unë i pari dhe gjithë të tjerët. S’kemi vendim pezullimi, kur të shqyrtohet do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Këto janë mendime personale apo të një grupi të caktuar. Rendi i ditës nuk mund të ndryshojë gjatë ditës së seancës vetëm sepse kemi bllokim fizik të foltores, do të ishte fundi i parlamentarizmit”, tha Peleshi.

Peleshi, në mbështetje të rregullores, hodhi në votim propozimin e kreut të grupit parlamentar të PS-së, për shtyrjen e pikave të rendit të ditës për seancën e së enjtes.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›