E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestuesit sulmojnë deputetët, qëllohen me vezë makinat e ministrave, disa të shoqëruar në polici

Për më shumë se 4 orë dhjetëra qytetarë protestuan para godinës së parlamentit duke hedhur parulla kundër deputetëve të mazhorancës e opozitës.  Në mënyrë simbolike ata sollën tek oborri para sallës së seancave plenare një kosh mbeturinash për tu thënë ligjvënësve se e kanë vendin aty e nuk  përfaqësojnë qytetarët.

Protestuesit u vendosën në dy hyrjet kryesore të parlamentit  dhe kërkuan dorëheqjen e qeverisë si dhe anulimin e ndryshimeve që janë bërë në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”.

Në shenjë revolte ata qëlluan me vezë makinat e ministrave dhe deputetëve të cilët kaluan para tyre.

Protesta u shoqërua me moment tensioni mes qytetarëve dhe forcave të policisë.

Pas disa orë proteste, forcat speciale ndërhynë për të larguar protestuesit nga hyrja e Kuvendit për të lejuar kalimin e deputetëve në Kuvend.

Por edhe pse protestuesit u spostuan ata qëlluan sërish me vezë drejt makinave të ligjvënësve

Për shkak të tensioneve në protestë policia shoqëroi disa protestues ndër të cilët Dritan Goxhajn, dhe për këtë arsye protesta e qytetarëve u zhvendos para godinës së drejtorisë së policisë së Tiranës ku kërkuan lirimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›