E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protokolli i Shtetit: Një orë ceremoni për Alinë, zbulohet amaneti

Ne foto: ish-presidenti Ramiz Alia ne spital, nje nate para se te nderronte jete

Shuhet Ramiz Alia, presidenti i parë i shtetit pluralist
Lideri i fundit komunist i Europës që drejtoi vendin pas vdekjes së Enver Hoxhës

Ramiz Alia, ish-presidenti i Shqipërisë, shuhet në moshën 86-vjeçare. Udhëheqësi i fundit komunist dhe presidenti i parë i shtetit pluralist shqiptar ndërroi jetë mëngjesin e së premtes në spitalin e Sanatoriumit në Tiranë, pas një tromboze në mushkëri. Mjekët bënë me dije se Alia vuante prej kohësh nga trenboembolia pulmonare (një komplikacion në mushkëri) dhe ditët e fundit u paraqit me probleme të rënda në frymëmarrje, për të cilat u kurua nga një ekip i specializuar mjekësh në reanimacionin e Senaturiumit në kryeqytet.
JETA
Ramiz Alia lindi më 18 tetor 1925 në Shkodër dhe u bë pjesë e lëvizjes komuniste shqiptare që në fillimet e saj. Në moshë të re kreu detyra të rëndësishme në formacionet e Ushtrisë  Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në vitet e para pas çlirimit u zgjodh në krye të organizatës së BRPSH. Pas diplomimit në Moskë për filozofinë marksiste -leniniste në vitin 1954, kreu detyra me përgjegjësi në strukturat e larta të partisë e të shtetit komunist. Në vitin 1961, u zgjodh për herë të parë anëtarë i Byrosë Politike të KQ të partisë, funksion të cilin e mbajti deri në vitin 1990, kur u vendos pluralizmi politik. Alia ka qenë President i Republikës nga viti 1982, deri në vitin 1992, duke hyrë në histori si Presidenti i parë i shtetit pluralist shqiptar. Në prill të vitit 1992, pas zgjedhjeve parlamentare të 22 marsit 1992, ku fitoi koalicioni antikomunist, dha dorëheqjen nga posti i Presidentit  dhe u tërhoq nga jeta politike, ndërkohë që ish-Partia e Punës që kishte drejtuar për dekada me radhë, u transformua në një parti të majtë të modelit europian socialdemokrat. Në shtator të vitit 1993, u arrestua dhe pas një procesi gjyqësor, u dënua me nëntë vjet heqje lirie për shpërdorim dhe abuzim me pushtetin. Doli nga burgu në vitin 1995 dhe për një periudhë të gjatë nuk u shfaq publikisht. Qysh nga viti 1997 e deri në momentet e fundit të jetës, ka dhënë një sërë intervistash për median. Libri më i fundit Jeta ime, botuar vitin e kaluar, është në vetvete një autorrëfenjë për jetën e tij, por edhe historinë e Shqipërisë komuniste. Në të, por sidomos në disa intervista të viteve të fundit, Alia ka zbardhur një sërë misteresh nga ngjarjet e diktaturës komuniste. Duke iu referuar një sërë vrasjesh në kufi në vitin 1990, ka pranuar faktin se përveç ndryshimit të ligjit për kalimin e kufirit në këtë periudhë, nuk ka këmbëngulur në zbatimin rigoroz të tij. Mënyra arbitrare si është vepruar nga organet e rendit dhe atyre të kufirit, ndaj të rinjve që guxuan të kalojnë kufirin, ka pasuar me mjaft viktima për të cilat Alia penalizonte shkarazi organet e Ministrisë së Brendshme. Po kështu, ish-lideri i fundit komunist, teksa shpjegonte rrethanat si punoi për transformimin e Partisë së Punës, duke afruar në krye të saj intelektualë e profesorë të njohur, e vlerësonte të pajustifikuar vonesën për largimin e figurave të vjetra të Partisë. Me presionin e shpurës së byroistëve historikë, që u larguan nga Blloku vetëm në vitin 1981, ish-Presidenti komunist mundohej të përligjte vonesat në zhvillimet demokratike të vendit. Në refleksionet nga vitet e diktaturës, Alia më në fund nuk e shmangte përgjegjësinë për mbylljen e objekteve të kultit dhe thellimin e luftës së klasave, por sakaq mundohej ta justifikohej me kontekset historike të ngjarjeve. Si president i fundit komunist i ndodhur përballë presionit në rritje, ushtroi ndikimin e vet për ndalimin e represionit politik në agoninë e regjimit diktatorial dhe shpalli amnistinë e gjerë për të burgosurit politikë në vitin 1990. Në periudhën kur ishte në krye të shtetit, u vendosen pas shumë dekadash marrëdhëniet diplomatike me Perëndimin dhe u hapën institucionet e kultit fetar. Me dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit, u tërhoq në jetën private. Jetonte me të bijën në një pallat të hershëm te zona e stadiumit Dinamo, ndërkohë që e shoqja Semiramisi, kishte vdekur në vitin 1985. Alia bëri një jetë të zakonshme pensionisti dhe rrallë shfaqej si i ftuar në veprimtari të ndryshme me cilësinë e ish-presidentit të Republikës.

funksionet
.Komisar i Brigadës së VII sulmuese (1944)

.Komisar i Divizionit të V Sulmues (1944-1945)

.Sekretar i Parë i KQ të BRPSh (1949-1955)

.Ministër i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958)

.Anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH (1961-1990)

.Sekretar i KQ PPSH-së për propagandën (1961-1982)

.Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1991)

.Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991)

.President i Republikës së Shqipërisë (1991-1992)

Vrasjet e pazbardhura
Jeta ime, ky ishte libri më i fundit që botoi me autorësinë e tij Ramiz Alia. Aty risjell një biografi të zgjeruar, jo vetëm të jetës dhe veprimtarisë së tij, por edhe të historisë së regjimit komunist shqiptar. Mjaft ngjarje e episode të panjohura të periudhës së diktaturës zbulohen në të për herë të parë. Por,  autorrëfenja e gjatë e Alisë nuk ndriçon asnjë nga enigmat e vrasjeve të bujshme të liderëve komunistë, Qemal Stafa, Nako Spiro, Alqi Kondi, Mehemt Sheu etj.

Brenga për Semiramisin
Mënyra si e përshkruan Ramiz Alia profilin e të shoqes, Semiramisit, në librin Jeta ime, është diçka e veçantë. Vdekja e saj në shtator të vitit 1985, vetëm pak muaj pasi Alia do merrte postin e Enverit, ka qenë një nga ngjarjet më të rënda për të. Të paktën në takimet konfidenciale ai nuk ngurronte ta shfaqte. Në një rrëfim për Panorama, para disa kohësh, Alia e vlerësonte humbjen e së shoqes si një nga brengat më të dhimbshme, jo thjesht për ikjen e parakohshme, por edhe për boshllëkun e krijuar nga ikja e bashkëpunëtorit më të afër të tij.

Ramiz Alia do të thirrej në komisionin hetimor për Tivarin
Ndarja nga jeta e ish-presidentit Ramiz Alia duket se i jep fund edhe një hetimi që kishte nisur Kuvendi për zbardhjen e masakrës së Tivarit. Parlamenti ngriti një komision hetimor në korrik të vitit 2010 për hetimin e asaj ngjarjeje dhe një prej personazheve që do të pyetej ishte Ramiz Alia, i cili, sipas maxhorancës, ishte edhe organizator i saj. Fillimisht, mandati i komisionit të drejtuar nga Fatos Beja ishte njëvjeçar, por në korrik të këtij viti ky mandat u zgjat edhe me një vit tjetër. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur për gazetën se deri tani janë mbledhur një numër i madh dokumentesh, kryesisht nga Arkivi i Shtetit, por edhe nga dëshmitarë të kohës, dhe së shpejti do tu shpërndahen deputetëve. Pak kohë më parë, anëtarja e këtij komisioni, deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, deklaroi se një prej personave që do të pyetet do të jetë pikërisht ish-presidenti. Do të kërkohet që të dalë e vërteta, e cila është ende një faqe e errët në historinë e Shqipërisë. Vendi ynë ka nevojë për historinë e tij të vërtetë dhe kërkohet të zbardhet e vërteta e mohuar për kaq shumë vjet, deklaroi Doda. Sipas saj, komisioni pritet të thërrasë për hetim edhe ish-presidentin Ramiz Alia, i cili është i akuzuari kryesor i PD-së për këtë ngjarje. Ramiz Alia është një nga ata që kanë dijeni për ngjarjen dhe askush nuk është i përjashtuar nga thirrja në pyetje nga ana e këtij komisioni, deklaroi Doda, duke lënë të kuptohej se ish-presidenti ishte një nga personat kryesorë që do të merrej në pyetje. Tani që ish-presidenti Ramiz Alia u nda nga jeta, hetimi duket se do të përqendrohet vetëm në materialet e arkivave.
AFRIM IMAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›