Provimet e lirimit, nxënësit përmbyllin programin mësimor dhe orët e konsultimeve

Fundi i muajit maj ka qenë emocionues për të gjithë nxënësit e klasave të nënta, të cilët përmbyllin 9 vite të arsimit bazë dhe përgatiten t’i nënshtrohen provimeve të lirimit.
“Me të gjithë këto 9 vite kurorëzim që kemi në mësim, prapë emocionet mbeten të forta. Na presin provime të mëdha, ku shpresojmë të marrim rezultate të mira”.
“Gjatë gjithë kohës, nga fillimi i vitit, jemi marrë me përgatitjet e lëndëve që do kemi në provim. Unë mendoj se do jap maksimumin tim, pasi me rezultatet e para-provimeve që kemi bërë, kam dalë shumë mirë” u shprehën disa nga nxënësit.
Drejtoresha e shkollës “Kosova”, Shkëndije Arapi, në një intervistë për RTSH, sqaroi se përsëritja e koncepteve bazë ka nisur që në janar të këtij viti dhe nxënësit gjatë periudhës prill-maj i janë nënshtruar edhe 3 para-testimeve, të cilat zhvillohen në të njëjtat kushte si provimet përfundimtare.
“Shkolla ka organizuar edhe para-testet, është 2 orë e 30 minuta dhe bëhet njësoj si zhvillohet provimi i klasave të 9-ta. Kjo bëhet në formën e parapërgatitjeve që nxënësit të mos kenë emocione. Duke bërë këtë para-teste lëndore, mësuesit nxjerrin mangësitë që nxënësit kanë nga ky teste dhe realizojnë konsultimet bazuar në mangësitë që ata kanë shprehur te testi”, u shpreh Arapi.
Por si është menduar të administrohen provimet e lirimit?
“Administrohet nga mësues që nuk kanë lidhje me shkollën. Janë mësues që janë parapërcaktuar në bazë të një shorti. Nxënësit nëpër klasa janë në numër shumë të pakët, mund të jenë 12-13 të tillë dhe nuk lejohet telefoni”, tha drejtoresha e shkollës “Kosova”.
Testet kombëtare të arsimit bazë do të nisin me atë të Gjuhës Shqipe më 19 qershor, do të pasohen nga provimi i Matematikës më 26 qershor dhe do të përmbyllen me provimin e gjuhës së huaj më 30 qershor.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/