Abuzimi me lejet mjedisore, dërgohen për gjykim 10 zyrtarë dhe administratorët e 3 kompanive

Një skemë e gjerë shpërdorimi detyre dhe falsifikimi dokumentesh në fushën e mbrojtjes së mjedisit ka çuar në bankën e të akuzuarve 13 persona, mes tyre dhjetë zyrtarë të institucioneve mjedisore dhe tre administratorë të subjekteve private.
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 13 personat e akzuar për shkelje të rënda ligjore në procesin e trajtimit të mbetjeve të rrezikshme dhe në dhënien e lejeve mjedisore.
Tre administratorët e shoqërive “V.R Shpk”, “E.. Shpk” dhe “S…. Shpk”, E.M, E.Sh. dhe L.Sh., akuzohen për falsifikim të dokumenteve zyrtare, duke deklaruar në mënyrë të rreme se dispononin pajisje teknologjike për sterilizimin e mbetjeve të rrezikshme.
Këto deklarime, sipas Prokurorisë, u përdorën për të përfituar tendera dhe leje mjedisore, ndonëse kapacitetet teknike ishin të paplota ose tërësisht të munguar.
Në listën e të pandehurve janë edhe 10 inspektorë dhe zyrtarë mjedisorë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Sipas hetimit, ata kanë kryer inspektime formale, kanë pranuar dokumentacion të manipuluar dhe nuk kanë verifikuar kushtet reale të instalimeve në terren.
Sipas prokurorisë, vetëm subjekti “V.R..” ka përfituar mbi 30 tendera nga viti 2017 deri në vitin 2022, në kundërshtim me ligjin. Në dosjen hetimore evidentohet një bashkëpunim i dyshimtë mes interesave privatë dhe autoriteteve mbikëqyrëse, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në dëmtimin e standardeve mjedisore në vend.
“Ky hetim nxori në pah problematika të rënda në zbatimin e standardeve mjedisore, mungesën e kontrolleve efektive dhe bashkëpunimin e dyshimtë ndërmjet interesave privatë dhe autoriteteve mbikëqyrëse”, njofton prokuroria e Tiranës.
/rtsh.al/