E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimi i klasave të pesta më 21 maj, rregullat për vlerësimin kombëtar 2026

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Vlerësimi i arritjeve për nxënësit e klasave të pesta në arsimin fillor për vitin shkollor 2025–2026 do të zhvillohet më datë 21 maj 2026.

Ministria e Arsimit ka publikuar udhëzimin zyrtar për organizimin e këtij testimi ndërkombëtar të firmosur nga Zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani.

Provimi do të jetë i integruar dhe do të testojë nxënësit në tri lëndë kryesore njëkohësisht, Gjuhë Shqipe, Matematikë dhe Dituri Natyre, bazuar në programin e hartuar nga ASCAP.

Testimi do të nis në orën 10:00 dhe do të zgjasë saktësisht 1 orë e 30 minuta. Është e detyrueshme që nxënësit të paraqiten në qendrat e testimit 1 orë përpara, pra në orën 09:00.

Udhëzimi i ri garanton gjithë përfshirje dhe mundësi të barabarta për të gjithë nxënësit, duke përcaktuar rregulla specifike për kategori të ndryshme.

Për nxënësit e minoritetit grek dhe maqedonas, pyetjet e Matematikës dhe Diturisë së Natyrës do të jenë në gjuhën e tyre amtare.

Qendra Burimore “Ramazan Kabashi” do të kujdeset për tërheqjen e testeve një ditë para provimit për t’i kthyer ato në sistemin e shkrimit Brail.

Për nxënësit me aftësi të kufizuara, testimi do të përshtatet në bazë të Planit Edukativ Individual (PEI) me të cilin ata kanë punuar gjatë vitit.

Për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP) do të monitorojë nga afër çdo qendër testimi dhe do të raportojë çdo parregullsi. Pas përfundimit, të dhënat dhe testet e nxënësve do të arkivohen dhe ruhen nga Zyrat Vendore të Arsimit.

Këto të dhëna dërgohen në QShA, në AKAP dhe në Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar.

Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar dhe institucionet arsimore.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›