Pse Berluskoni i paratha Edvinit fatin se do të mbetet gjithmonë i dyti

Si tek përralla e shtrigës, të cilën pasqyra asnjëherë s’e konfirmonte si më të bukurën, edhe tek lidershipi i Ramës lexohet pamundësia, prandaj Berluskoni i dha të falat për Fatos Nanon. S’dihet nëse kancelarja Merkel nuk do ta pyesë se si është kryetar Meta
I njohur për batutat e tij, Kryeministri italian Silvio Berluskoni nuk kurseu dy ditë më parë në vizitën e tij në Tiranë, edhe Edi Ramën, kryetarin e PS-së. Në një moment të pritjes së shtruar nga Presidenti Bamir Topi, Berluskoni, pasi shprehu interesimin për mungesën e Fatos Nanos, i kërkoi Edi Ramës, jo pa këmbëngulje, që ti përcillte të falat e tij, ish-liderit të PS-së. Këmbëngulja e Berluskonit, më tepër se një vënie në pozitë të Edi Ramës, i cili me siguri ka mallkuar veten që braktisi mbledhjen e PSE-së në Madrid, përcolli një mesazh, sipas të cilit Edi Rama është kryetari i PS-së, por se Fatos Nano mbetet lideri i PS-së.
Përralla e “Borëbardhës me shtatë xhuxhët”, pjesa kur Shtriga pyet pasqyrën, i shkon më së miri batutës së Berluskonit, pas së cilës, duke iu referuar pyetjes interesuese për Nanon (sikurse Shtriga pyeste pasqyrën për më të bukurën), përgjigja e nënkuptuar ishte “se ti je kreu i PS-së, por përmbi ty, është Fatos Nano, që mbetet lider”, (sikurse pasqyra i përgjigjej Shtrigës, se “ti je e bukur, por më e bukur është Borëbardha”) etiketim që Edi Rama, nuk po e meriton dot.
Pra, shkurt, për Silvio Berluskonin në mendje ka ngelur Fatos Nano, ndërsa i dyti pas tij, vjen Edi Rama kryetari i PS-së, i cili nuk është asgjë më shumë se një postier, që tani, pas këshillës edhe të Kryeministrit shqiptar Sali Berisha, duhet t’i plotësojë kërkesën Kryeministrit italian Silvio Berluskoni dhe ti përcjellë të falat liderit të PS-së Fatos Nano.
Sjellje të tilla, të krerëve të shteteve të ndryshme, rrezikojnë të krijojnë precedentin, që Edi Ramën, kryetarin “de jure” të PS-së, mos ta konsiderojnë si të tillë “de facto”. Kancelarja Angela Merkel, ka planifikuar edhe ajo një vizitë në Shqipëri. Mbetet për t’u parë në këtë vizitë, që ajo, Merkel, në shtrëngimin e radhës të dorës edhe me Edi Ramën, ndoshta, ndoshta t’i kërkojë këtij, jo ti bëjë të fala Fatos Nanos, por ndoshta-ndoshta, Ilir Metës, duke dhënë verdiktin e saj, për klasifikimin sërish të dytin të Edi Ramës, në listën e të preferuarve të saj ndër opozitarët shqiptarë.
Në jetën e tij të katapultuar në politikë, Edi Rama, që e ka ngërç komunikimin me shqiptarët, por edhe me të huajt, mund të sforcohet sa të dojë, që në emër të një shtrëngimi të dorës me Berluskonin në Tiranë, të braktisë mbledhjen e PSE-së në Madrid, por sërish nuk mund dhe nuk mund të shkojë më larg se kaq. Nga ana tjetër, si një i klonuar nga Fatos Nano në politikë, ai, sado të sforcohet të mos llogarisë ish-kryetarin, por liderin ende të PS-së, do të jetë vetëm dhe gjithmonë i dyti, apo e thënë ndryshe, hija e Fatos Nanos. Këtë “status”, Edi Rama e ka zgjedhur vetë, kur përballë mundësive për t’u bërë e sjellë si lider, ai ka preferuar të merret me ca kokrra misri steril, të protestojë për Kosta Trebickën, të shfryjë kundër NATO-s, apo të festojë Konferencën e Pezës, duke demonstruar paaftësinë dhe inferioritetin për të përfshirë në debate madhore, e për të ofruar zgjidhjet e mundshme. Të fshehurit pas G 99-s apo Mjaft-it, është një hanticap më shumë, që sërish, ai Edi Rama, edhe këtë herë i dyti, nuk e kapërcen dot…
...