E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pse Izraeli shënjestroi ‘zemrën’ e programit bërthamor iranian, goditen tre objekte kryesore iraniane gjatë natës

Gjatë orëve të fundit është raportuar për një përshkallëzim të ri të konfliktit mes Iranit dhe Izraelit, me sulme ajrore të ndërsjella që kanë goditur objektiva strategjikë në të dyja vendet. Irani ka lëshuar raketa drejt Izraelit, ndërsa më herët, Izraeli kishte ndërmarrë një sulm të rëndësishëm ajror thellë brenda territorit iranian.

Izraelit raportoi se raketat goditën Haifën dhe Tamrën aty pranë. Sulmi ndaj Haifës pritej gjerësisht, pasi qyteti bregdetar strehon infrastrukturë strategjike gazi. Analistët sugjerojnë se kjo shënon fillimin e hakmarrjes së premtuar të Iranit për bombardimin izraelit të vendeve kyçe të energjisë pranë Bushehrit dhe Abadanit.

Izraeli shënjestroi selinë e ministrisë iraniane të mbrojtjes në Teheran herët të dielën, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim.

Zyrtarët iranianë thanë gjithashtu se depoja e naftës Shahran, në veriperëndim të Teheranit, u godit nga Izraeli. Tasnim News tha se forcat operative dhe të shpëtimit mbërritën në vendngjarje dhe po punojnë ende për të shuar zjarrin.

Objektivi kryesor i sulmit izraelit ishte qyteti Isfahan, në Iranin qendror – një zonë me rëndësi të madhe strategjike për programin bërthamor iranian. Aty ndodhet Impianti i Konvertimit të Uranit, pjesë kyçe e infrastrukturës bërthamore të vendit, si dhe një bazë ajrore e madhe dhe një kompleks për prodhimin e raketave.

Sulmi në Isfahan vjen në një kohë kur tensionet janë në kulmin e tyre. Në prill të vitit 2024, Izraeli kishte dëmtuar një sistem mbrojtës ajror në një aeroport të këtij qyteti, duke theksuar për herë të parë cenueshmërinë e zonës.

Autoritetet iraniane kanë deklaruar se objektet bërthamore në Isfahan përdoren vetëm për qëllime paqësore, por Izraeli dhe vendet perëndimore kanë ngritur prej kohësh shqetësime se Teherani i përdor këto objekte për zhvillimin e fshehtë të armëve bërthamore.

Ende nuk ka konfirmime të pavarura mbi shkallën e dëmeve apo viktimave nga sulmi i fundit, por përshkallëzimi i sulmeve ka ngritur shqetësime serioze për një përhapje të konfliktit në gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Situata mbetet e tensionuar, me komunitetin ndërkombëtar që bën thirrje për përmbajtje dhe dialog urgjent.

Isfahan

Shkalla e dëmit në centralin bërthamor të Isfahanit në Iranin qendror ishte më e vështirë për t’u analizuar në orët pas goditjes, me pretendime kontradiktore mbi ndikimin e sulmit që u shfaqën në Izrael dhe Iran.

Behrouz Kamalvandi, zëdhënësi i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, tha se dëmi wshtw kompleks dhe i madh.

Pajisjet në të dy objektet u zhvendosën në pritje të sulmeve, tha Kamalvandi. Një hangar në objekt u përfshi nga flakët, shtoi ai, dhe nuk ka rrezik kontaminimi.

Por Izraeli ishte më optimist; një zyrtar i IDF tha gjatë një informimi të shtunën se vendi pësoi dëme të konsiderueshme.

Natanz

Vlerësimet fillestare tregojnë se sulmet e Izraelit në uzinën bërthamore të Iranit në Natanz ishin jashtëzakonisht efektive, duke shkuar përtej dëmtimit sipërfaqësor të strukturave të jashtme dhe duke ndërprerë energjinë elektrike në nivelet e poshtme ku ruhen centrifugat e përdorura për të pasuruar uraniumin, thanë dy zyrtarë amerikanë për CNN.

«Ky ishte një sulm i shpejtë me spektër të plotë», tha një burim tjetër i njohur me vlerësimet.

Sulmet shkatërruan pjesën mbitokësore të Uzinës Pilot të Pasurimit të Karburantit në Natanz, një vend i gjerë që ka qenë në funksion që nga viti 2003 dhe ku Irani kishte pasuruar uranium deri në 60% pastërti, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). Uraniumi i gradës për armë pasurohet deri në 90%.

CNN mori imazhe radari nga një kompani imazhesh hapësinore, Umbra, të cilat kapën dëme në disa zona të objektit të Natanzit. Imazhet e tjera satelitore të shqyrtuara nga CNN treguan të njëjtin dëm më qartë, me re tymi të zeza që ngriheshin dukshëm nga vende të shumta në të gjithë vendin.

Infrastruktura elektrike në Natanz – duke përfshirë ndërtesën kryesore të furnizimit me energji, plus gjeneratorët e emergjencës dhe rezervë – u shkatërrua gjithashtu, tha IAEA. Ky vlerësim mbështetet nga dy zyrtarët amerikanë, të cilët i thanë CNN se energjia elektrike u ndërpre në nivelet e poshtme ku ruhen centrifugat e përdorura për të pasuruar uraniumin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›