Pse Ushtria e Kuqe kishte armatim më special se ushtria gjermane
Një analizë shifrash ushtarake mes Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë
Saimir Lolja
Vijon nga numri i kaluar
KUFIRI DHE SIGURIA
BRSS dhe Gjermania nuk kishin kufinj të përbashkët. Shtetet ndërmjet tyre ishin shtete asnjanëse. Nëse do sulmohej Gjermania dhe Europa, së pari duheshin zhdukur këto shtete të ndërmjetme. Me ndarjen dhe pushtimin Polonisë prej Gjermanisë dhe BRSS, këto dy shtete krijuan një kufi të përbashkët prej 570 km. Nëse BRSS kishte qëllim mbrojtës, atëherë duheshin ndërtuar fortifikime të fuqishme në tërë këtë kufi dhe në thellësi; porse këto gjëra nuk u kryen jo se nuk dinin. Për të përballuar ushtrinë gjermane në betejën e Kurskut në Korrik-Gusht 1943, ushtria sovjetike ndërtoi gjashtë linja të njëpasnjëshme mbrojtëse (gjerësia e mbrojtjes shkonte 250-300 km) dhe me një fuqi zjarri e minimi të paparë deri atëherë. Rripi i tokës (disa qindra kilometra) përgjatë e përbrenda kufirit perëndimor të BRSS, i cili në rast sulmi kundër BRSS do të shërbente për mbrojtje, kishte kohë që ishte zhvilluar e plotësuar me punime. Pas përfundimit të Luftës së Dimrit me Finlandën në Mars 1940, komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Kuqe, Gjenerali K. A. Meretskov, urdhëroi prishjen e rripit të vjetër të sigurisë dhe mos krijimin e rripit të ri të sigurisë në territorin e pushtuar polak. Kështu në brendësi të BRSS, u prishën digat ujore, u hoqën minat nga fushat e urat, u prishën linjat fortifikuese, etj. Ndërkohë, u ndërtuan rrugë e u përmirësuan të vjetrat që të çonin drejtpërsëdrejti në kufirin gjerman; shumë linja hekurudhorë të tilla u bënë dyfishe; u ndërtuan fusha avionësh pranë kufirit, kurse urat në lumenjtë e kufirit dhe në brendësi nuk u minuan.
Në Shkurt 1941, Stalini e zëvendësoi Gjeneralin K. A. Meretskov, ngaqë ishte i pakënaqur me ritmin e këtyre punimeve, me Gjeneralin G. K. Zhukov dhe ritmet e punimeve u trefishuan. Për luftë mbrojtëse rrugët ndërtohen në thellësi dhe paralelel me kufirin. Në atë kohë, BRSS ndërtonte rrugë e hekurudha që të çonin mu në buzë të kufirit dhe tërë urat në këtë drejtim ose u ndërtuan të reja ose u përforcuan. Buza e kufirit u bë njëkohësisht edhe depo e sasive të mëdha të materialeve të ndërtimit, shinave e trarëve të trenit dhe qymyrit për lokomotiva, të cilat do nevojiteshin për të mbështetur mësymjen sovjetike. Në Qershor 1941, forcat sovjetike të kufirit filluan të hiqnin telat me gjemba, të cilat vijëzonin kufirin konkret. Për trupat sovjetike të përqendruara në buzë të kufirit nuk kishte më pengesa për të filluar sulmin dhe përparuar në thellësi, sepse edhe ushtria gjermane në Poloninë e pushtuar po kryente të njëjtat punime në mbështetje të sulmit.
Thellë në rripin e sigurisë ishin ndërtuar linja mbrojtëse fortifikimi mjaft të organizuara, me mijra pika zjarri, me mure të trasha hekur-betoni, me tunele lidhëse me kilometra të gjatë, me kuzhina e mensa, me depo municioni e furnizim uji, me maskim të përsosur, etj. Më e spikatura nga këto ishte rrjeti mbrojtës Stalin me 13 rajone fortifikimi pranë kufijve perëndimorë të BRSS, i cili u ndërtua në fshehtësi dhe shtrihej nga bregu i Detit Balltik (në Veri) deri në Detin e Zi (në Jug). Linja mbrojtëse Stalin kishte qëllim të ndalonte edhe këmbësorinë edhe tanket armike. Pjesë të kësaj linje mbrojtëse ishin edhe fortifikimet e brigjeve lindore të lumenjve kryesorë në Perëndim të BRSS, të cilët i bënin ato lumenj praktikisht të pakalueshëm. Në vitin 1938, të 13 rajonet e fortifikuara u përforcuan me artileri të rëndë dhe 8 rajone të reja fortifikimi filluan të ndërtohen.
Më 23-08-1939 nënshkruhet pakti i mos-sulmimit midis Gjermanisë dhe BRSS, Polonia pushtohet nga këto dy vende dhe kështu kufiri i BRSS shtyhet 200 km në drejtim të Perëndimit. Në vend që punimet e fuqizimet e linjave fortifikuese të vazhdonin, në Vjeshtë të vitit 1939 ndodhi e kundërta. Garnizonet e rajoneve të fortifikuara filluan të tkurren deri sa u zhdukën fare; materialet për ndërtim fortifikimesh pothuaj u ndërprenë; armatimet, municionet, pajisjet e vëzhgimit dhe ndërlidhjes u hoqën; një pjesë të godinave iu dha kooperativave bujqësore për magazinim prodhimi; fortifikime të tjera u mbuluan me dhe ose u shkatërruan me dinamit; industria ushtarake ndërpreu prodhimin e topave 76-mm që përdoreshin kundra-tankeve; pushkët kundra-tank u hoqën nga prodhimi, etj. Megjithatë, një linjë rajonesh të fortifikuara filloi të ndërtohej në Verë të vitit 1940 pikërisht në buzë të kufirit gjermano-sovjetik. Kjo linjë, e cila njihet me emrin Linja Molotov, kurrë nuk u mbarua dhe pati si qëllim që gjermanët ta shihnin atë si synim mbrojtës. Për nga materialet, organizimi, fuqia e zjarrit, minimet, thellësia dhe prapavija, taktika e luftimit, aftësia dhe shpejtësia e mbrojtjes Linja Molotov i ngjante një loje fëmijësh. E njëjta situatë ishte edhe për fortifikimet gjermane në kufirin (e vjetër) gjermano-polak dhe për fortifikimet e reja që ato filluan në Poloninë e pushtuar përballë Linjës Molotov.
Shumë kohë para fillimit të Luftës II Botërore, organizimi i luftës partizane në BRSS në kushtet e pushtimit nga ushtritë e huaja ishte i plotë. Një rrjet i organizuar mirë i tuneleve, depove, forcave paraushtarake, ndërlidhjes, spitaleve, punishteve të prodhimit të armëve e municionit, shkollave të spiunazhit e luftimit ishte i shtrirë në Ukrainë, Rusi të Bardhë, Krime, Leningrad, etj. Stërvitjet e partizanëve të ardhshëm bëheshin paralel edhe nga Ministria e Brendshme (Narodnyy Komissariat Vnutrennikh Del NKVD) edhe nga Zbulimi Ushtarak Sovjetik (Glavnoye Razvedyvatel’noye Upravleniye GRU). Që nga viti 1935, tërë organizimi i luftës partizane filloi të krasitej deri në rrënjë: shkollat e stërvitjes u mbyllën, depot e municioneve e lëndëve shpërthyese u zbrazën, grupimet ushtarake u shkrinë, etj.
AVIACIONI SOVJETIK
Nëse BRSS do të dëshironte të pengonte luftën që po vinte, do nevojitej të prodhoheshin 1000 avionë bombardues strategjikë TB-7, të cilët fluturonin mbi 10 km lart dhe udhëtonin 3700 km. Një aeroplan i tillë, që vendet e tjera nuk e kishin, ishte i pakapshëm prej artilerisë kundër-ajrore dhe avionëve ushtarakë të kohës. Më pas do të mjaftonte vetëm një demonstrim force me këto aeroplanë për ta ndaluar ushtrinë gjermane të sulmonte. Me këto aeroplanë mund të shkohej sa herë të dojë në prapavijat e armikut dhe të derdhje lumë me bomba ku ti doje. Me një aeroplan të tillë Ministri i Jashtëm i BRSS Vaislav M. Molotov udhëtoi në pranverë të vitit 1942 nga Moska në Britani, mbi Europën që digjej nga lufta, i padalluar nga mbrojtja kundër-ajrore gjermane, më pas në Amerikë e u kthye po nga e njëjta rrugë. Bombardimi me avionë të tillë do të digjte e do të prishte çdo gjë ku do derdhej lumi i bombave. Një gjë e tillë nuk i interesonte një ushtrie pushtuese, sepse ajo do dëshironte që urat, rrugët, qytetet, fabrikat ushtarake e industritë të ishin të pacënuara. Katër herë e ktheu Stalini urdhërin për të prodhuar armatën e këtyre avionëve. Deri në Qershor 1941, u prodhuan vetëm 17 të tillë.
Për luftën rrufe (blitzkrieg) nevojiteshin aeroplanë të vegjël, në sasi të madhe, të cilët do të goditnin me saktësi vetëm shënjestra të përcaktuara në tokë, p.sh. aeroplanë në fushë, tanke, kollona ushtarësh, makina, pika komandash e ndërlidhjesh, etj. Rrugët, urat, fabrikat e uzinat duhej të qëndronin të padëmtuara me qëllim që të përparonte ushtria me shpejtësi. Me një taktikë ushtarake të tillë dhe aeroplanët Pe-2 and Il-2 Ushtria e Kuqe mundi Armatën 6 japoneze në lumin Khalkhin-Gol të Mongolisë në Gusht 1939 dhe u bë gati të sulmonte Europën. Me një taktikë të tillë dhe aeroplanët Ju-87 e Ju-88 ushtria gjermane pushtoi Europën Perëndimore e Jugore dhe më vonë për tu mb