Pse Vladimir Putin nuk do të arrestohet në SHBA pavarësisht urdhër-arrestit ndërkombëtar?

Presidenti rus Vladimir Putin është subjekt i një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) që nga viti 2023, i lëshuar mbi akuzat për “krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të fëmijëve” nga Ukraina. Megjithatë, udhëtimi i tij i planifikuar në Alaska për t’u takuar me presidentin Donald Trump nuk pritet të rezultojë në arrestimin e tij.
Ka dy arsye kryesore pse Putini është i sigurt nga arrestimi në territorin amerikan:
SHBA-ja nuk është anëtare e ICC-së
As Rusia dhe as Shtetet e Bashkuara nuk janë nënshkruese të Statutit të Romës, traktatit që krijoi Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Meqenëse SHBA-ja nuk e njeh autoritetin e gjykatës, ajo nuk ka asnjë detyrim ligjor për të zbatuar urdhër-arrestin.
Imuniteti diplomatik
Kur Putini udhëtoi në Mongoli, një vend anëtar i ICC-së, autoritetet atje argumentuan se si kreu i një shteti, ai gëzonte imunitet absolut diplomatik. Ndonëse Gjykata e refuzoi këtë pretendim, vendet jo-anëtare, si SHBA, nuk kanë detyrim t’i binden vendimit të Gjykatës.
Gjatë mandatit të tij, Presidenti Donald Trump ka shprehur hapur kundërshtinë ndaj juridiksionit të ICC-së. Në shkurt, ai vendosi sanksione kundër gjykatës, pasi ajo lëshoi një urdhër-arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes. Kjo lëvizje tregon qartazi se administrata e Trumpit nuk do t’i përgjigjej një kërkese për arrestimin e Putinit.
Këto arsye shpjegojnë pse udhëtimi i Putinit në Alaska, një udhëtim i rrallë jashtë vendeve aleate, është i mundur pa rrezikun e ndëshkimit nga urdhër-arresti ndërkombëtar. CNN
/rtsh.al/