Pse dhashë dorëheqjen
I nderuar Alex !
Kur ne u takuam të enjten në mbrëmje, unë ju thashë se e ndjeja se duhet të jepja dorëheqjen si Ministër i Transportit, Infrastrukturës dhe Klimës. Ju me mirësi më pyetët nëse mund të mendohesha deri të premten për ta rishqyrtuar nëse ishte pikërisht ky vendimi i duhur për t'u marrë. Mora kohën për t'u menduar dhe kam vendosur që të jap dorëheqjen.
Brenda rrezes sime të përgjegjësive, isha përqendruar në ecurinë e gjendjes së gatishmërisë së qeverisë dhe në javët e fundit ai plan na ka ndihmuar për të menaxhuar një mot të keq të tejzgjatur dhe akut.
Të hënën ne u përballëm me një sfidë edhe më të madhe. Edhe pse ne kemi bërë të gjitha përpjekjet për të trajtuar këtë ngjarje, unë mendoj se mund të bënim shumë më tepër për të siguruar që qytetarët të cilët u kapën në një rrethanë të vështirë dhe të frikshme të ishin të informuar më mirë rreth situatës.
Më vjen shumë keq dhe për këtë arsye ndjej se unë duhet të jap dorëheqjen. Unë jam gjithashtu i vetëdijshëm se po bëhet një luftë politike ditët e fundit, ndaj vazhdimi i pranisë sime në qeveri do të përdorej politikisht nga kundërshtarët tanë.
Gjatë këtyre tre viteve e gjysmë unë jam përpjekur që të jap gjithçka që mundem për të shërbyer si ministër.
Besoj se shumë prej nismave të ndërmarra kanë ndihmuar për zhvillimin e infrastrukturës së transportit dhe mbështetjen e ekonomisë së vendit tonë. Mbetet një kënaqësi e veçantë që isha ministri i cili drejtoi ndryshimet në legjislacionin për klimën përmes parlamentit skocez.
Unë ju falënderoj për mbështetjen tuaj të vazhdueshme dhe inkurajimin gjatë kësaj periudhe dhe mund t'ju siguroj se unë do të mbështes me entuziazëm punën e kësaj qeverie.
Ky është teksti i letrës së dorëheqjes së Stewart Stevenson, ministër i Transportit, Infrastrukturës dhe Ndryshimeve Klimatike në qeverinë e Skocisë. Letra është dërguar për kryeministrin Alex Salmond. Ditët e fundit Skocia u përball me reshje të mëdha dëbore si pasojë e të cilave pati probleme me trafikun dhe komunikimin.
Kulmi arriti të premten në mbrëmje kur dhjetëra qytetarë skocezë mbetën të bllokuar gjatë gjithë natës në autostradë. Të nesërmen e kësaj ngjarje, z. Stevenson dha dorëheqjen. Nuk duam të bëjmë paralelizime me atë që po ngjet në Shqipëri, sepse e dimë që jemi shumë larg Skocisë dhe këtu nuk e kemi fjalën për gjeografinë. Por shembulli flet vetë...