Pse hesht OSBE?

Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në
Evropë po hesht për kërkesat tona për kthimin e pronës së trashëguar
Prof. Dr Aleks Vranaj
LETER E HAPUR
I nderuar z. Grossruck, i nderuar z. Robert
Bosch. Si një nga pronarët e bregdetit në pritje të kthimit me ligj të
pronës së trashëguar tek i zoti, më lejoni tju drejtoj këtë letër publike
pasi situata kërkon shpjegim publik. Duke parë heshtjen permanente të
Qeverisë dhe tuajën ndaj ankesave tona për shkeljen sistematike të të
drejtës së pronësisë, Kryesia e Shoqatës Bregdeti i ka drejtuar kërkesa
jo vetëm ambasadorëve të trupit diplomatik të OSBE, BE, të KE etj. të
akredituar në Shqipëri por edhe shumë institucioneve të tjera
Evropiane dhe ndërmjet tyre: Sekretarit të Përgjithshëm Kanat
Bekmyrzayevich
Saudabayev, Kryetarit të Zyrës së Sekretariatit të OSBE Marc Perrin de
Brichambaut, Drejtorit të Zyrës së OSBE për Institucionet Demokratike dhe të
Drejtat e
Njeriut, Janez Lenari.
Përfaqësia e OSBE ne Tirane është në dijeni prej shoqatës Bregdeti me kërkesat
e saj me qëllim që procesi i kthimit të pronës, tashmë i devijuar dhe i lënë
në harresë nga demagogjia politike të vendoset e rrugën e zgjidhjes, është
kërkuar si imperative dhe fjala e OSBE që të ndikojë në Qeverinë dhe
politikën shqiptare jo vetëm për kutitë e votimit por në radhë të parë për
respektimin e të drejtës së pronës. Ne presim fjalën tuaj që procesi i
kthimit fizik të pronave të ndahet nga ai i kompensimit, duke përcaktuar
një afat kohor të shkurtër për përmbushjen e këtij procesi në përputhje me
artikullin 41 dhe 181 të Kushtetutës së Shqipërisë si dhe të artikullit
191 të dokumentit No. 11115 të datës 20
Dhjetor 2006 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kjo nuk mund
të lihet pas dore si një ankesë individuale që duhet ta zgjidhin gjykatat
pasi është parim dhe qëndrim moral një zgjidhje në themel që respekton të
drejtat themelore të njeriut dhe shmang anarkinë institucionale.
Nëpërmjet medias, u informuam se z. Grossruck zv/ President i OCBE po
kalon
pushimet në Sarandë. Ne mbetëm të habitur dhe të deziluzionuar nga mendimi
i
Grossruck (referuar sa është shkruar në gazetë) se turizmin e zhvillon ai
që është më i shpejti dhe as z. Grossruck as Ambasadori OSBE në Tiranë z.
Robert Bosch deri tani nuk kanë thënë asnjë fjalë për ankesat tona për
domosdoshmërinë e respektimit të të drejtës së pronësisë së tokës si kusht
themelor për zhvillimin e demokracisë dhe të turizmit. Si është e mundur
heshtja juaj për pronën?
Është faktike që prej 19 vjetësh pronat tona akoma nuk janë kthyer tek i
zoti, ashtu siç janë kthyer në veri dhe ky standard i dyfishtë brenda
shtetit është shkak I protestave të vazhdushme të popullit në rrugë. Nëse
Shoqata Bregdeti dhe shoqata pronësi me Drejtësi, ka shkruar dhe publikuar
deri më sot me dhjetra artikuj, letra e peticione duke sugjeruar edhe
zgjidhjen dhe megjithëse këto kërkesa janë dërguar edhe në kancelaritë
Evropiane dhe përsëri problemi i pronës shmanget plotësisht dhe nuk vihet
në qendër të diskutimit, më lejoni tju pyes: a i jep kjo heshtje vlerë
konkluzionit të z. Bledar Prifti gazetar i Shekullit që thotë: tashmë
mund të flitet me plot gojë se organizmat Evropiane janë viktima ose të
injorancës së Politikanëve të tyre mediokër ose viktima të disa funksionarëve
europianë të sponsorizuar dhe të blerë nga qeveritarët?.
Ne mendojmë se të mbrosh pronën, forcon drejtësinë dhe se respektimi i të drejtës
së pronës është një çështje me rëndësi të madhe jetike për popullin tonë.
Me bindjen se turizmin nuk mund të zhvillohet në ajër dhe pa kthyer tokat turistike
tek pronari i ligjshëm i grabitur nga diktatura komuniste, ju kërkojmë që
të përdorni të gjitha mjetet që keni në dispozicion që të influenconi tek Qeveria
dhe tek klasa politike Shqiptare, që të veprojnë në përputhje me aspiratat
e saj, të BE si dhe me angazhimet e saj ndaj Deklaratës së Kopenhagenit,
duke kondicionuar hyrjen e Shqipërisë në BE me faktin që klasa politike
dhe qeveria e saj do të duhet të ofrojnë zgjidhje reale, që të sigurojnë
respektin e plotë të të drejtës bazë të njeriut të gëzimit dhe të respektit
të pronës si edhe të drejtave të tjera bazë të gërshetuara thelbësisht me
të si liria, barazia, demokracia, siguria, stabiliteti dhe zbatimi i
ligjit. Këto janë vlera që shërbejnë si gur themeli për zgjerimin e BE dhe
më e rëndësishmja, këto janë vlera vitale për vetë popullin dhe mbas 19 vjetësh
demokraci nominale, ka kohë që i ka kaluar zenithi, që populli shqiptar të
fillojë të shijojë këto të drejta. Në pritje të përgjigjes tuaj publike.
Prof Dr. Aleks Vranaj