Pse humbi e Djathta?
Nga Bled Komini
Gjatë këtyre ditëve do shkruhet shumë për fitoren e së Majtës. Po gjatë këtyre ditëve do flitet gjatë për humbjen e pallogaritshme të së Djathtës. Në një demokraci humbja e njërës palë është fitore e tjetrës, por jo njëtrajtshëm mund të flitet për votën ndëshkuese dhe atë përzgjedhëse. Këto dy të fundit lidhen ngushtësisht me perceptimin e popullit ndaj politikës, arrogancës, qeverisjes, alternativës, mirëqenies e shumë faktorëve të tjerë që ndikojnë në perceptimin social mbi atë që duhet ndëshkuar dhe mbi atë që duhet zgjedhur.
Pse humbi e Djathta? Shtrimi i kësaj pyetje është etimologjikisht simetrik me atë drejtuar anasjelltas: Pse fitoi e Majta? Edhe pse nga ana gjuhësore tentativa është për ti barazuar të dy pyetjet, nga aspekti analitik i procesit zgjedhor ekuivalenca shndërrohet në polivalencë që kërkon shtjellim të mëtejshëm. Vetvetiu duke trajtuar humbjen e së Djathtës, konkretizohet dhe një pjesë e panoramës se pse fitoi e Majta.
1.
Rasti Kavajë në zgjedhjet e kaluara lokale është një ndër faktorët përcaktues që treguan bindshëm se pjekuria elektorale e popullit shqiptar nuk ishte më ajo e para dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetëve më parë. Sinjali i parë për një ndryshim kursi dhe për një pjekuri elektorale erdhi pikërisht nga qyteti bastion i Kavajës në zgjedhjet e fundit lokale. Në këto zgjedhje Partia Demokratike humbi bindshëm (në zgjedhjen e kryetarit të bashkisë Kavajë) duke tronditur thellë demokratët dhe strukturat partiake në këtë qytet. Fakti që fenomeni Kavajë nuk u analizua asnjëherë më pas dhe nuk u gjetën asnjëherë shkaqet e vërteta të humbjes në këtë qytet, tregoi se për të Djathtën e meta e humbjes nuk qëndronte brenda ose tek ata sipas tyre, por ishte një fenomen i jashtëm që iu atribuua faktorëve jo partiak e atyre socialë. Rishtazi ky fenomen rikthehet dhe në zgjedhjet e sapo kaluara parlamentare dhe vjen si një ndëshkim sërish për të Djathtën, e cila tashmë përveç Kavajës (si pjesë e Qarkut të Tiranës) ndëshkohet rëndë edhe në Shkodër. Thyerja e bastioneve është karakteristikë e një krize të thellë partiake, pasojat e së cilës përkthehen në votën kundër ose në mos marrje pjesë në procesin e votimit. Po ashtu ato shprehin mosbesimin popullor mbi politikat dhe gjendjen ekonomike të vendit.
2.
Pjekuria elektorale është një ndër faktorët e tjerë margjinalë që karakterizuan këto zgjedhje. Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta se si kurba e ndërgjegjes mbi votën ka ndryshuar këto vitet e fundit, sërish përmes projeksionit të zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe atyre lokale mund të thuhet se ka një ndërgjegje në rritje mbi ushtrimin e të drejtës së votës si e drejtë individuale për të përcaktuar përfaqësimin politik në Parlament. Mirëpo vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i raportimeve për blerjen e votës. Ky fenomen i cili ka ekzistuar edhe më parë, gjatë zgjedhjeve të fundit është evidentuar në përmasa të konsiderueshme dhe është vënën në pah edhe prej ndërkombëtarëve dhe OSBE-ODHIR-it. Në rastin konkret pjekuria elektorale lidhet me dy koncepte themelore të përmendura dhe më sipër, me atë të ndëshkimit dhe të përzgjedhjes. Sa më e madhe të jetë pjekuria e një elektorati (gjë e cila lidhet me kulturën, edukimin dhe angazhimin social e politik) aq më i madh është dhe marzhi i ndëshkimit ndaj korrupsionit, papërgjegjshmërisë, papjekurisë politike, neglizhencës etj., apo përzgjedhjes së programeve që paraqesin partitë në prag të zgjedhjeve elektorale. Në këtë linjë shtrohet pyetja: Vota e 23 qershorit ishte ndëshkim apo përzgjedhje?! Është shumë e vështirë ti jepet një përgjigje kësaj pyetje, por në muajt pasardhës do bëhet më e qartë panorama nëse elektorati shqiptar ndëshkoi pozitën apo ja dha votat opozitës si alternativë politike më e mirë dhe më e përshtatshme në situatën politike dhe ekonomike në të cilën vendi gjendet. Të gjitha insinuatat për momentin do të ishin të kota.
3.
Largimi ose distancimi i Partisë Demokratike nga elektorati i djathtë ishte një tjetër faktor që çoi drejt rezultateve të 23 qershorit. Krijimi i distancave mospërfillëse dhe konsiderimi i pozitës si e pathyeshme, duke qenë se një sërë pushtetesh ishin grumbulluar në duart e të djathtës, i dha kësaj të fundit një mbivlerësim të tejskajshëm se ajo do ishte fituese në zgjedhjet e 2013. Mandati i dytë për koalicionin e djathtë ishte më tepër një mandat konfirmues për punën dhe arritjet e kryera në mandatin e parë, mirëpo një pjesë e mirë e politikanëve dhe liderëve të së djathtës u larguan dukshëm prej elektoratit të tyre. Një ndikim në këtë largim pati dhe ndarja e pushtetit me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ndarja e pushtetit me këtë forcë të qendrës së majtë i krijoi shumë pak hapësira elektoratit të djathtë për të pasur akses në pushtet apo në administratë.
4.
Përcaktimi i aleatëve të koalicionit në zona të sigurta të listave për deputetë. Vendosja e emrave të disa aleatëve të koalicionit të djathtë në zona të sigurta, i dha atyre komoditetin për të mos u marrë shumë me zgjedhjet, duke paramenduar se në 23 qershor e Djathta do fitonte bindshëm. Një pjesë e mirë e këtyre aleatëve në zgjedhjet e fundit lokale patën një rënie drastike gjë e cila edhe pse dukshëm ishte e qartë, nuk u mor parasysh prej Partisë Demokratike. Vendosja e tyre në zonat e sigurta jo vetëm që ndikoi në rënien e intensitetit të punës në terren po i shkëputi ata edhe më shumë prej elektoratit të tyre, i cili duke parë mos interesimin zgjodhi ose të mos votonte ose të ndëshkonte.
5.
Rotacioni politik. Gjatë njëzetë e tre viteve demokraci asnjë forcë politike nuk e kishte mbajtur pushtetin më shumë se dy mandate, kjo gjë e bëri një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, skeptike në lidhje me fitimin e një mandati të tretë për aleancën e djathtë. Edhe pse Berisha u mundua të argumentonte se një fitore e tretë ishte e domosdoshme për të përmbyllur punën e nisur prej tij (rrugët, anëtarësimi në BE, rimëkëmbja ekonomike e vendit etj.), kjo nuk ishte aspak bindëse, sidomos kur shihej se vendi ende nuk po arrinte një stabilitet ekonomik afatgjatë dhe kur çmimet vijonin të rriteshin. Pavarësisht rritjes së herëpashershme të rrogave dhe pensioneve, rekord ky i pozitës dhe kryeministrit Sali Berisha, sërish papunësia dhe çmimet e larta ishin më ndikuese se sa reformat e ndërmarra. Një efekt të njëtrajtshëm mbi elektoratin shqiptar luajti dhe media e dispropocionuar apo zhvendosur dukshëm në opozitë me pushtetin.
6.
Mbështetja e fushatës vetëm mbi figurën e Sali Berishës. Një element tjetër i cili pothuajse i shpëton të gjithë vëzhguesve të kujdesshëm është fakti se pothuajse 90% e fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike, por dhe të Djathtës në përgjithësi u udhëhoq prej Sali Berishës. Mos ndarja e punëve, lëshimi i peshës dhe përqendrimi i fushatës vetëm në dorën e një personi çoi në largimin prej përgjegjësive të pjesës tjetër të partisë apo aleatëve. Drejtimi i fushatës zgjedhore duhej ndarë në mënyrë proporcionale dhe duhej balancuar sipas zonave të influencave. Është krejtësisht normale që lideri i djathtë do mbante peshën kryesore, por dukjet e tij të shpeshta në televizor dhe fokusimi i medieve vetëm tek ai, krijuan perceptimin se askush prej figurave të rëndësishme politike brenda Partisë Demokratike nuk po merrte përgjegjësitë që i takonte.
7.
Pse fitoi e Majta? E Majta fitoi për shumë arsye. Në radhë të parë nevoja për një rotacion politik ishte përkthyer shpesh prej medieve dhe analistëve si një domosdoshmëri. Në radhë të dytë në shumë qarqe hatër mbet