E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Pse impononi axhendën e SPAK?”. Manja i përgjigjet Alibeajt: Mori fund koha kur prokurorët rrinin në paradhomat e kryeministrit

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka raportuar në Komisionin e Ligjeve lidhur me kompetencat për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të Këshillit të Ministrave kundrejt Prokurorit të Përgjithshëm. në fjalën e tij, Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj ka drejtuar një sërë pyetjesh ndaj Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja. Alibeaj iu drejtua ministrit se përse ai dhe kryeministri Rama imponojnë axhendën e SPAK, në një kohë që ambasadorja amerikane Yuri Kim u shpreh se drejtësia funksionon kur politika s’bën thirrje për hetim të individëve specifik.

Ministri Manja, risolli në vëmendje se në kohën që qeveriste Sali Berisha, prokurorët rrinin në paradhomat e Kryeministrit, Presidentit dhe Ministrave. Manja tha se ai e ka bërë të qartë qëndrimin e tij për garantimin e pavarësisë së SPAK.

“Lidhur me garantimin e  pavarësisë së SPAK, e kam bërë të qartë qëndrimin tim. Reforma në drejtësi këtë kishte si qëllim, garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë në ushtrimin e funksioneve dhe distanimin e saj nga politika. Ka eksperienca në këtë Shqiprinë tonë të vogël ku kishe një periudhë ku z. Sulaj e di shumë mirë, kur prokurorët rrinin në paradhomat e kryeministrit, presidentit dhe ministrat, jo të linjës, por rrinin dhe te paradhoma e zyrave të ministrit të bujqësisë, kulturës. Kur vijmë te pavarësia sigurisht do duhet të dallojmë qartë pavarësinë në dhënin e vendimeve me performancën institucionale të sistemit të drejtësisë”, tha Manja.

Alibeaj theksoi se mbingarkesa, volumi i çështjeve janë disa nga arsyet e cituara nga Manja që kanë sjellë për pasojë numrin e ulët të prokurorëve dhe mosplotësimin e numrit të anëtarëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pyetjes së Alibeajt se kush po e pengonte këtë proces dhe ndaj kujt binte përgjegjësia, Manja i’u përgjigj duke thënë se Drejtuesit e prokurorive të juridiksioneve të përgjithshëm dhe drejtuesi i SPAK do raportojnë pas pak ditësh në Komisionin e Ligjeve për të dhënë sqarime lidhur me këtë çështje, ndërsa ka pranuar se kjo problematikë qëndron.

“Nga dinamika dhe specifika që ka hetimi, ka patur një volum të madh pune. Kush e pengon nurmin e shtimit të prokurorëve nëse SPAK vetë e kërkon? Buxheti i shtetit dhe kjo qeveri sot që flasim nga fillimi i reformës e deri tani pa ndihmën e partnerëve, BE dhe SHBA, janë 84 milionë euro në funksion të kësaj reforme. Të kompletohet me 68 hetues që të kemi një analizë të qartë se ky numër i hetuesve në dispozicion e përballon këtë volum pune në Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK. Lidhur me krimin e organizuar, vlen të përshëndetet puna e SPAK. Ishin 5 skuadra të përbashkëta hetimore, sot që flasim kemi 16 skuadra të përbashkëta hetimore me disa nga vendet partnere të BE. Këtë detyrë e ka reziluar shumë mirë dhe SPAK është bërë një partner i besueshëm në hetimet e përbashkëta me homologë, Belgjikë, Itali, etj.

A kemi pasur komunikim me prokurorinë? Po. Por duhet marrë parasysh stadi ku është reforma në drejtësi. Ka një mbingarkesë në volum të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore. Byroja Kombëtare e Hetimit është drejt kompletimin të numrit nga 60 që duhet të ketë kanë filluar punën 28 prej tyre. Ky volum pune përballohet nga 17 prokurorë të njësisë së posaçme. Lidhur me efektivitein e punës së prokurorisë dhe po i referohem dhe prokurorive të juridiskionit të përgjithshëm dhe SPAK, drejtuesit e tyre do raportojnë këtu”, tha Manja.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›