E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Refuzimi i rezolutës së Berishës për masakrën e Srebrenicës, Meta: Zhgënjyes votimi i maxhorancës

“Zhgënjyese” e ka konsideruar Presidenti Ilir Meta votën kundër të maxhorancës në Kuvend, duke refuzuar rezolutën e propozuar nga Sali Berishës për dënimin e masakrës së Srebrenicës.

Me një postim në Facebook, Meta shkruan se në rajonin tonë ka përpjekje të shtuara për të mohuar gjenocidin serb në Srebrenicë dhe se për këtë, sipas tij, seanca në Kuvend duhet të shprehte me vendosmëri vullnetin e popullit shqiptar kundër kësaj masakre.

“Tejet zhgënjyes votimi kundër i mazhorancës ndaj projekt-rezolutës së paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të serbëve të Bosnje-Hercegovinës në Srebrenicë në korrik të 1995. Në kushtet e agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikueshëm rus kundër Ukrainës, dhe kur në rajonin tonë vërehen përpjekje të shtuara për të mohuar gjenocidin serb në Srebrenicë dhe për të glorifikuar kriminelët e luftës, seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë do të duhet të shprehte me solemnitet dhe vendosmëri të plotë vullnetin e patjetërsueshëm të popullit shqiptar kundër gjenocidit barbar, që mori jetët e 8372 njerëzve në Srebrenicë”, shkruan Meta. 

Votën kundër të deputetëve në Kuvend, Meta e konsideron si shtrembërim të vullnetit të qytetarëve.

“Jam tejet i keqardhur që deputetë të Kuvendit të Shqipërisë shtrembërojnë në mënyrë të pamerituar dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve shqiptarë, të cilët e kanë treguar me vepra se janë kundër spastrimeve etnike, dhe në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit njerëzor”, përfundon Meta postimin e tij.

Kuvendi nuk pranoi futjen në rendin e ditës për votim të një rezolute të propozuar nga Berisha, për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës, ndërsa Partia Socialiste deklaroi prerë se nuk do të pranojnë asnjë propozim të një personi të shpallur ‘non grata’ nga SHBA.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›