Pse nuk feston e djathta?

Veç disa pak tentativave mediatike për të mësuar emrat e nesërm në kabinetin qeverisës, asgjë nuk është bërë publike zyrtarisht. Madje për më shumë se kaq, në fillim zyrtarë të LSI-së e më pak edhe nga PD-ja, kanë mohuar me ngulm të ketë pasur bisedime e negociata për ndarjen e posteve ministrorë në qeverinë e ardhshme
Nga Lorenc Vangjeli
Gjithçka ngjan e mbetur pezull. Një shumicë që është rikonfirmuar në pushtet dhe sillet si në mes të një mandati normal qeverisës dhe një pakicë e rimbetur në opozitë që flet sikur zgjedhjet e ardhshme janë pothuaj në prag; kjo është pamja e përgjithshme e situatës politike në vend. Të paktën në sipërfaqe dhe atë çka shfaqet në publik. Por në pritje të çertifikimit të standardeve të zgjedhjeve nga komuniteti ndërkombëtar ku me të gjitha gjasat sërish Shqipëria do të ngelë në klasë ka një morri faktorësh që e bëjnë si shumicën, si pakicën të pasigurt për të nesërmen. Ato fillojnë që me disa detaje të pabërë më parë publikë, për përfshirje në trukimin e rezultatit zgjedhor të personave të shpallur në kërkim, atyre me precedentë penalë apo dhe të liruar përkohësisht nga burgu, me vështirësitë për të kompozuar aleancën qeverisëse me LSI-në, me marrëdhëniet gjithmonë e më të ndërlikuara brenda vetë të djathtës e deri me krizën apo dhe emrin e ndonjë biznesmeni të njohur që me të gjitha gjasat, shpejt do të bëhet edhe faktor i rëndësishëm në lojën politike të ditës.
Dosjet e fshehta
Shumëkush tashmë e di, por gjithkush hesht për këtë fakt. E dinë aktorë dhe faktorë lokalë në vend, por dhe partnerët ndërkombëtarë që e kanë përfshirë detajin përvëlues në raportet e tyre konfidenciale. Një detaj që qëndron si një minë me sahat në themel të fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit dhe që nuk dihet se kur dhe si do të shpërthejë. Janë një numër ende i papërcaktuar provash që helmojnë rezultatin e arritur, kryesisht në qarqet zgjedhorë në veri të vendit, por dhe gjetkë, si në Fier e Berat. Natyra e këtyre provave është disi e çuditshme: gjatë ndjekjes për llogari të hetimeve të ndryshme, kryesisht për trafik droge, janë evidentuar një numër personash që ishin të përfshirë në procesin zgjedhor. Ekzistojnë me dhjetra transkripte të bisedave telefonike të këtyre personazheve. Sidomos në datën 28 qershor, komunikimet e tyre, në shumicë me precedentë penalë apo dhe të burgosur të dalë me lejë shpërblyese nga qelitë, janë intensifikuar në mënyrë progresive. Përgjithësisht abonentë me ta kanë qenë jo vetëm miq e të njohur të tyre, por, dhe ky është fakti enigmatik, edhe kandidatë për deputetë. Bisedat kanë qenë diskrete dhe përmblidheshin sidomos me nxjerrjen e rezultatit paraprak në kutitë ende të mbyllura atëherë të votimit. Kutitë përmendeshin sipas adresës së tyre gjeografike vendndodhjes dhe diskutohej për sasinë e votave që do të duhej të merrte njëra apo tjetra nga dy partitë e mëdha. Fjala vjen, në biseda telefonike thuhej sesa vota duheshin hedhur në x kuti dhe sa vota i duheshin lënë partisë kundërshtare.
Nuk dihet nëse do të bëhen edhe më tej të ditura hollësi të mëtejshme për një situatë të tillë, për të cilën janë në dijeni pothuaj të gjithë drejtuesit e shtetit e natyrisht edhe opozita shqiptare. Nuk mund të them më shumë sesa të përmend vendosmërinë tonë për të shqyrtuar çdo detaj e çdo provë që dëshmon rezultatin e trukuar të 28 qershorit. Shumë prej tyre ende nuk janë bërë publike, por në tërësinë e tyre ato provojnë se makineria shtetërore e PD-së ka përdorur për të trukuar rezultatin e zgjedhjeve çdo mjet. Përdorimi i elementëve me precedentë penalë dhe madje edhe të burgosurve të liruar përkohësisht nga burgjet me leje shpërblyese, ishte një gjë e zakontë dhe e përdorur fort nga PD-ja, pohon një burim nga Partia Socialiste. Me një gjuhë të përgjithshme, por që lë të kuptohet jo thjesht faktin se ata janë në dijeni të një situate të tillë, por dhe që janë në përpunim e sipër të idesë sesi do të përdoret ky informacion brenda dhe jashtë vendit. Veç shumë e shumë arsyesh, kjo është një më shumë që kushtëzon mungesën e festës së fitores në PD, shton i njëjti burim.
Nuk ka fishekzjarrë
Kanë kaluar më shumë se dy muaj kur Berisha e konsideroi të pamundur një aleancë paszgjedhore qoftë me PS-në e qoftë me LSI-në. Kryeministri i konsideroi të dy këto parti si gjysma të të njëjtës mollë të kalbur. Tani, për shkak të shifrave, që prej një muaji, Berisha ka zgjedhur të bëjë qeverinë me njërën nga këto gjysma, por që herë pas here, t´i shkelë syrin dhe partisë tjetër, PS-së, për bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen. E megjithatë, deri më tani, nuk ka asnjë hap të paktën konkret në formimin e qeverisë.
Në të paktën një element të përhershëm të traditës së zgjedhjeve shqiptare, zgjedhjet e kësaj radhe, ndryshojnë dukshëm. Nuk ka pasur fishekzjarrë feste. Apo më saktë ka pasur atëherë kur nuk kishte ende një arsye për të festuar: menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit dhe daljes së sondazheve paraprake për rezultatin e mundshëm dhe kur LSI vendosi të pranojë ftesën e Berishës për bashkëqeverisje. Në të gjitha ditët në vijim, përgjithësisht ka pasur heshtje në të djathtën e shpallur fituese. Konferencave pothuaj të përditshme të shtypit të kreut të PS-së Edi Rama për të denoncuar rezultatin e zgjedhjeve, nga PD-ja i përgjigjeshin vetëm me replika batutash nga zëdhënësit. Berisha vetë, por sidomos Topalli dhe figurat e tjera më të larta të PD-së kanë heshtur duke dashur t´i lenë gjerat të rrjedhin në një shtrat më të qetë. Në rastin më të mirë, ose kanë prodhuar lajm për mediat nga pushimet e tyre, ose kanë vazhduar një tur inaugurimesh të dyshimtë, të paktën për mundësinë e financimit të tyre. Në të njëjtën kohë, menjëherë mbas 28 qershorit, një aksion i mirëfilltë mediatik, hodhi në treg idenë e asaj çfarë duhej të ndodhte me PS-së dhe kreun e saj. Ndërkohë që ende numëroheshin votat apo dhe kontestoheshin kuti që mund të ndryshonin rezultatin paraprak të atyre ditëve, në rend të ditës u vu dorëheqja apo jo e Edi Ramës nga kreu i PS-së. Një debat krejt normal në kushte të tjera, por që veç të tjerash la padiskutim në hije gjithë ekuacionet e mundshme të qeverisjes së nesërme të vendit. Të cilat, edhe për këtë arsye të zhvendosjes së vëmendjes, kanë mbetur tërësisht në hije.
Veç disa pak tentativave mediatike për të mësuar emrat e nesërm në kabinetin qeverisës, asgjë nuk është bërë publike zyrtarisht. Madje për më shumë se kaq, në fillim zyrtarë të LSI-së e më pak edhe nga PD-ja, kanë mohuar me ngulm të ketë pasur bisedime e negociata për ndarjen e posteve ministrorë në qeverinë e ardhshme. Një mundësi e tillë negociatat është përgënjeshtruar madje me kaq zell sa dukej se bëhej fjalë për mëkat. E në të njëjtën kohë, përtej deklaratave të zakonta me terma krejt të përgjithshëm, është bërë e qartë se nuk ka absolutisht asnjë përpjekje mes dy partive për të përafruar programet e tyre dhe për të dalë me një dokument të përbashkët si program qeverisës. Vetë Berisha ka thënë më shumë se njëherë se nuk do të nxitohet, se nuk do të bëjë publike asnjë listë qeverisëse për të mos demotivuar administratën dhe kabinetin aktual. Një justifikim tërësisht formal për të fshehur mungesën e formës së qeverisë së ardhshme.
Në fakt, burime të rezervuara nga të dy partitë pohojnë të kundërtën: që bisedimet PD-LSI për ndarjen e posteve në qeverisjen e nesërme vazhdojnë në mënyrë intesive, por jo të suksesshme deri më tani. Ato kanë qenë edhe të tipit ballë për ballë, por dhe në mënyra të tjera, që në kushtet e sotme, janë fare të thjeshta për t´u realizuar. Ajo që mbetet e fshehtë dhe kërkohet të mbahet larg vëmendjes së publikut, është se dhe në PD-në e drejtuar ende me dorë të hekurt nga zoti Berisha, nuk mungojnë të pakënaqurit me pjesën e tortës që do të vihet në dispozicion të LSI-së. Nëse aleanca me LSI-në ishte zgjidhja e vetme që kishim, tani jemi në mes të një ekuacioni me shumë zgjidhje. Që patjetër do të ketë një përfundim, por nuk di se me çfarë kostoje për ne, pohon një burim nga PD-ja për MAPO-n. Sipas tij, nuk mun