E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse shqiptarët nuk po dalin ngadhënjyes në Lojërat Olimpike

Nga Augustin Palokaj

Është koha e Lojërave Olimpike dhe sytë e botës janë përqendruar drejt kësaj ngjarjeje më shumë sesa në çfarëdo teme tjetër. Mediat dhe opinioni në shumë vende të botës përcjellin atletët e tyre dhe i gëzohen secilit sukses, e sidomos nëse në emrin e shtetit të tij dikush fiton ndonjë medalje olimpike. Ndoshta mediat tona në gjuhën shqipe janë ndër të rrallat këto ditë të ngrohta vere, të cilat vazhdojnë në kryetituj të kenë politikanët, ndërsa rreth sportit më shumë përcjellin atletët e huaj. Edhe Lojërat Olimpike më shumë do ti mbajmë mend për faktin se atje ishin kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentja Atifete Jahjaga, sesa për ndonjë sukses sportiv. Edhe në Shqipëri më shumë është shkruar për rekordin e presidentit Sali Berisha, i cili na paska notuar në det më shumë sesa viteve të mëparshme.

Pjesëmarrja e dy liderëve nga Kosova në hapjen madhështore të Lojërave Olimpike ishte paraqitur sikur të ishte sukses i tyre sportiv, sikur Thaçi dhe Jahjaga të ishin kualifikuar me aftësitë e tyre për të marrë pjesë atje. Ata u ftuan thjesht sepse kjo ngjarje e madhe zhvillohet në një shtet, i cili e njeh Kosovën si shtet, e madje i ndihmon që të ketë edhe më shumë njohje. Por ajo që në Lojëra Olimpike mbahet mend është fitorja e medaljeve. Dhe Shqipëria, që është shtet tash e 100 vjet, ende nuk ka fituar asnjë medalje të vetme. Në Evropë e ndoshta edhe më gjerë, nuk ka shtet me më shumë se 3 milionë banorë e që nuk e ka asnjë medalje olimpike. E Kosova as pas katër vjetësh pavarësie nuk ka arritur as të jetë anëtare e Komitetit Olimpik dhe të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.

Shqiptarët kanë fituar medalje për vendet e tjera, ndoshta kështu mund të jetë edhe në këtë Olimpiadë ku ka sportistë me përkatësi etnike shqiptare që garojnë për shtetet e tjera. Ka edhe shqiptarë të Kosovës që kanë fituar medalje për ish-Jugosllavinë.  Edhe pse ato medalje janë personale, tash i llogariten Serbisë. Për çudi, Serbia në këto Lojëra Olimpike ka fituar medaljen e 100-të me radhë. Kjo ka ndodhur falë gjeturisë politike të Serbisë dhe  neglizhencës së Kosovës, por edhe vendeve të tjera të dala nga ish-Jugosllavia. Të gjitha shtetet është dashur të regjistroheshin nga fillimi si anëtare të Komitetit Olimpik, ndërsa Serbia është thirrur si pasardhëse e ish-Jugosllavisë. Kështu të gjitha medaljet që janë fituar në emër të Jugosllavisë, që nga Mbretëria serbo-kroato-sllovene e deri tek shteti i përbashkët, Serbia dhe Mali i Zi i llogariten Serbisë. Kjo ka shkaktuar indinjatë në Kroaci, vend jashtëzakonisht i suksesshëm që për 20 vjet ka fituar më shumë se 20 medalje. Kryetari i Komitetit Olimpik të këtij shteti, Zlatko Matesha, ka thënë se mbi gjysmën e medaljeve olimpike në ish- Jugosllavi i kanë fituar sportistët kroatë. Por sot prapa emrave, si: Mate Parllov, Aziz Salihu, Shaban Tërstena, Shaban Sejdiu dhe të tjerë, figuron Serbia.

Këtë vit ishim me shpresë se më në fund Shqipëria do të ketë medaljen e parë në historinë e saj. Pas zhgënjimit se Majlinda Kelmendi nuk u lejua të mbronte ngjyrat e Kosovës, filluam të mendonim se sa mirë do të ishte që një sportist kosovar të jetë fitues i parë i një medaljeje për Shqipërinë. Do të ishte kjo një simbolikë e mirë në 100-vjetorin e Pavarësisë ,sepse medaljet olimpike e vënë një shtet të vogël në hartën e botës më shumë se qindra takime të politikanëve tanë me diplomatë të huaj.

Por Majlinda ishte nën presion të madh. Ajo për muaj më shumë sesa me përgatitje fizike dhe psikike është dashur të merrej me lobim politik. Në një situatë të tillë, në një sport ku qetësia shpirtërore është po aq e rëndësishme në secilin moment sa edhe përgatitja fizike, ajo nuk pati fat.

E vetmja gjë për çfarë Shqipëria hyri në kryetitujt nga kjo Olimpiadë ishte dopingu i një sportisti shqiptar, i cili u diskualifikua. Pra e vetmja gjë për çfarë u përmendën Shqipëria dhe shqiptarët ishte për të keq.

Për gjendjen e sportit shqiptar duhet fajësuar edhe politikanët. Paratë shkojnë më shumë aty ku ka korrupsion e nuk investohet në talente të vërtetë që mund të sjellin rezultate. Sporti është i harruar dhe përmendet vetëm atëherë kur ndonjë individ, me sakrifica të veta personale apo  familjare bën ndonjë sukses a atëherë politikanët tentojnë të përfitojnë nga një popullaritet i atij sportisti.

Për të fituar medalje olimpike duhet punë shumëvjeçare, duhet financim dhe krijim të kushteve. Medaljet olimpike nuk fitohen me parulla politike. Po të ishin manipulimi i zgjedhjeve apo korrupsioni disiplina olimpike, Shqipëria ndoshta do të kishte gjasa më shumë të fitonte ndonjë medalje. Për këtë gjendje të mjerueshme të sportit ndër shqiptarë fajtore janë edhe strukturat politike në Shqipëri dhe Kosovë.

Për shkak të politikës Shqipëria më vite nuk mori pjesë fare në Lojëra Olimpike. Shteti ishte aq i izoluar dhe diktatura aq paranoike saqë frikohej të lejonte sportistët të dilnin jashtë vendit nga frika se nuk do të ktheheshin. Për shkak të politikës shumë sportistë shkuan jashtë  Shqipërisë. Në këtë kohë kur gjinden para për projekte të panevojshme, disa sportistë që mund të kaliten për të fituar medalje nuk kanë të ardhura as për tu ushqyer.

Këto janë arsyet përse para të huajve nuk mund të gjejmë një përgjigje në pyetjen se si një shtet që ekziston më shumë se 100 vjet nuk ka asnjë medalje olimpike. Pse një shtet që ka dalje në dy dete nuk ka kurrfarë suksesi as në not, as në vaterpolo e në asnjë sport ujor. Pse ata që fituan medalje i fituan për të tjerët dhe çfarë bëri shteti ti ndalte ata. Për këtë shkak për medalje duhet të presim, por nuk mund vetëm të shpresojmë se ato do të vijnë vetvetiu. Për to duhet punuar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›