6 gushti: një tjetër sikur!
Po vjen sikur-i i radhës. Javë e re kismet i ri, por në politikën shqiptare kismetet tashmë janë të vjetra. I njëjti avaz. Do bëjmë sikur do votojmë për një projektligj që sikur i vetëm gropos korrupsionin.
Koalicioni do bëjë sikur do votojë të hënën në gjestin më të pakuptimtë dhe irritues politik. Do flasë me vetveten, dhe njeriu dhe politika kur flet me vetveten janë simptoma në rastin më të mirë të një lodhje të madhe ose në atë më të keqin të një sëmundje të rëndë e llojit psikik.
Të gjithë po bëjnë sikur janë duke studiuar për provimet e vjeshtës në lëndën e integrimit, kur asnjëri në fakt nuk është i sinqertë.
Çështja është shumë e thjeshtë. Kur ka një vullnet, gjendet edhe një rrugëdalje, thotë një shprehje e vjetër dhe e njohur angleze. Por në Tiranën politike nuk ka vullnet për tu integruar dhe për tu bërë perëndimor, në radhë të parë në mentalitet.
Një klasë politike, e cila është bërë gazi i botës në qendrat e politikbërjes ndërkombëtare dhe ende e fshatarepsur në metodologjinë e të bërit politikë.
Caktohen apriori data presioni, data që sthonë asgjë, data që sbihet as formalisht dakord, dhe mbi të gjitha as nuk ulen për të negociuar kur ka një ngërç. Kjo sështë evropiane, kjo sështë perëndimore.
Ky është bajraktarizëm politik që vjen nga papërgjegjshmëria e tejskajshme për fatet e vendit dhe integrimit të saj, dhe e deshifruar lehtësisht vetëm si një lojë tipike ballkanike plot malinjitete.
Padyshim, që kemi të bëjmë me kalkulime që dëshmojnë se nuk e duan shtetin ligjor dhe janë për bllokime procesesh në vitin e vështirë dhe vendimtar elektoral për fatet e tyre politike, ndërkohë që bëjnë sikur nuk i zë gjumi për ti bërë ata që janë me duar të papastra me precedent penal.
Loja është e thjeshte. Për imunitetin që është në tavolinë duhet vetëm një buton në parlament. Por një palë kërkon që të bëhet më shumë për të qenë efektiv ndaj pandëshkueshmërisë, gjë që spranohet nga kundërshtari. Koalicioni mund të argumentojë se opozita bën edhe ajo sikur, pasi fle lepuri tjetërkund.
Në çdo demokraci normale, tentohet në shumicën e rasteve terreni i përbashkët. Dhe në Perëndim dhe në botën demokratike me standarde të konsoliduara, tentohet maksimalisht përafrimi i qëndrimeve.
Konkretisht ndryshimet e kërkuara në Kushtetutë nga opozita as nuk pranohet të diskutohen nga ekzekutivi. Dhe në kushtet kur duhen 84 vota, i takon qeverisë që ti hapë rrugë atij që ia ka zënë kokën me derë kësaj here.
I takon Kryeministrit të ulet dhe mundësisht të kërkojë kompromisin për ato që kërkon opozita. Fakti që nuk denjohet as të diskutohen publikisht këto propozime, nuk ka sesi të mos çojë në konkluzionin e hidhur se kjo bëhet për tju shmangur të vërtetës se përse nuk duhen miratuar këto ndryshime?!
Ka hipokrizi kur në njërën anë trumbetohet, se jemi të hapur katërkanatësh dhe se do votojmë variantin e opozitës për imunitetin, dhe këtu çuditërisht kemi pranimin e parë se opozita qenka më e avancuar në konceptimin e saj. Nga ana tjetër, nuk pranohet jo më miratimi qoftë edhe i një pjese të propozimeve për ndryshimet kushtetuese, por as negocimi i tyre. Logjika normale e do të paktën negocimin e tyre.
Por asnjëra dhe as tjetra nuk bëhet, dhe ndaj bëhet sikur.
Koha nuk pret, për të mos thyer sërish rekordin tonë unikal ne detin e trazuar evropian të mosintegrimit! Treherëshin e mosmarrjes se statusit kandidat.
Berisha le ta lërë Dhërmiun këtë verë, e Ramës me new look le ti dalë sërish mjekra dhe qeset e fryra poshtë syve nga të negociuarit. Por kësaj here jo vetëm ju të dy.
Prej arrogancës suaj, pasi nuk u konsultuat me të tjerët, po vuajmë edhe sot e kësaj dite konstitucionalisht dhe institucionalisht. Koha kërkon edhe ata që ju bëni sikur janë të parëndësishëm në politikën shqiptare, majtas dhe djathtas apo në qendër.
Diplomatët e huaj lërini të pushojnë se janë lodhur me ju aq më tepër kur kanë përpara një vit të mbrapsht me sa çduken bathët.
Ndërkohë edhe Presidenti ynë i ri i nderuar le të mos i bindi kritikët dhe skeptikët e vet, që thonë se ai është President-sikur.
Muaji i mjaltit presidencial edhe shtyhet, kur ka sfida dhe trysni të mëdha integrimi dhe le të angazhohet më shumë në arritjen e dialogut politik, nëse edhe në këtë fushë pret më shumë, siç me të drejtë pret më shumë për Prokurorinë.
Jahjaga dhe Prizreni aty janë edhe në shtator e më pas. Statusi nuk pret më!
Klasës politike shqiptare i duhet hequr urgjentisht alibia e ah sikur të kishim mundësi të bënim më shumë për këtë vend e këtë popull, që vetëm bëjnë sikur e duan më shumë se gjithçka në botë!
